Deputeti i PD sulmon ministrat teknikë: Veç Gazment Bardhit, të tjerët dolën “llokum”
Deputeti i PD-së, Myslym Murrizi njëherësh kreu i PD-së në Lushnje me anë të një statusi në Facebook komenton arsyet pse nuk e sheh me sy të mirë një aleancë mes PD dhe PS pas zgjedhjeve. Ai komenton edhe ministrat teknik të PD-së, të emëruar nga marrëveshja e 18 majit dhe lavdëron vetëm atë të Drejtësisë, Gazment Bardhin.
Statusi i Murrizit
PD sipas mendimit tim duhet të jetë opozitw pa koalicion me asnjë forcë tjetër politike parlamentare që nuk është e qendrës së djathtë. Dhe kurrë në pushtet me PS e aq më shumë me këta rilindas të spërkatur fund e krye, kush më shumë e kush më pak, me pisllëkun e drogës që prej 3 vitesh ka nxirë Shqipërinë. PD si opozita kryesore dhe ndoshta e vetmja prej viti 2013 ka denoncuar çdo abuzim me pushtetin e rilindjes. Dhe prej 3 vitesh, pra nga viti 2014, ka qenë e vetmja gojë në Shqipëri që ka folur dhe denoncuar drogën dhe lidhjen e saj me kupolën e policisë dhe të shtetit. Fatkeqësisht ata që kanë heshtur kanë qenë përfaqësitë e vendeve që sot shërbimet e tyre janë më të qartë se kurrë për lidhjen e zyrtarëve të lartë të shtetit me trafikun dhe trafikantët. Nuk i kam parë më të bilbilosin çiftin e ambasadorëve që shfaqeshin çdo ditë dorë për dorë dy vjet rresht nga 8 herë në ditë në ekran? Nëse amerikanët duan ta shpëtojnë këtë vend nga mafia dhe droga, duhet të marrin shumë seriozisht rrezikun që paraqet kjo shumicë qeverisëse e të mos dëgjojnë vetëm çfarë u thonë të “çiftëzuarit”. Nëse u duhet një ministër i brendshëm, një prokuror, një drejtor policie një trup gjyqësore një shef shërbimi (SHISH) që të mos i vi era hashash, besoj që kanë të gjithë mundësinë ta gjejnë dhe fuqinë ta emërojnë. Nuk ka asnjë shkak askush që të bëjë pis Partinë Demokratike dhe 453 mijë opozitarët e kësaj qeverie, me asnjë lloj emri apo individi që nuk përfaqëson asgjë nga vullnetin i rreth gjysmë milioni demokratësh e votuesish shqiptarë. Nëse ju duhet dikush nga këta që janë, le ta mbajnë si te tyre jo si të demokratëve. Opozitë të “emëruar” nga pushteti bënte Lukashenko i Bjellorusisë. Variante të tilla të pista, qeveria ka përdorur në vitin 2004 kur emëroi kryetar të KLSH një hajdut vemje dhe spiun të sigurimit si skuthi Çeku. Apo siç donin të ja vinin në prehër para 18 majit një presidente me targë të PD, dhe kukull në duart e kryeministrit. Boll kanë mbajtur demokratët në kurriz individë në dy dhe tre fytyra, që kanë flirtuar hapur me qeverinë e si targë kanë pasur atë të PD.
Për gjykimin tim si demokrat dhe kryetar i PD Lushnjë, jo të gjithë ato që u emëruan nga marrëveshja e 18 majit i rezistuan presionit të Ramës dhe tundimit nga karrigia, dhe justifikuan qëllimin e uljes në ato karrige.
Respekt për Ministrin e Drejtësisë, dhe ndoshta për një drejtor. Të tjerët më duket se “fluturuan” në delir fallco dhe e quajtën thjesht punësim të tyre dhe të ndonjë miku apo shoku. Shumicës më duket se nuk ja mësuan emrat as rojet as shoferët. Po të më jepet mundësia t’i vlerësoj me votë politike në funksion të mbrojtjes së interesit të demokratëve, nuk do t’i votoja kurrë, as për kryepleq. Si “shkencëtarë” ndoshta vlejnë shumë, se kanë grada, por për të përfaqësuar demokratët unë mendoj se dolën “llokum”. Megjithatë populli thotë: karrigia dhe paraja joshin më mirë njeriun, e përderisa nuk ka laborator që ti besh “provën” përpara se ta provojë karrigia, të gjithë mund të kemi zhgënjime për këdo që besojmë.
KOHA JONË SONDAZH

