“Deri në shtator do ketë surpriza politike”
Analisti Lorenc Vangjeli i ftuar në rubrikën “Opinion” studion e lajmeve në “News24” i cilësoi zgjedhjet në Partinë Demokratike një garë hipokrite. Ai shtoi se ky është një moment dëshpërues për opozitën por edhe për të gjithë demokracinë në vend, shkruan BalkanWeb.
Sipas tij Basha, ka qenë i suksesshëm deri në momentin që ai ka imituar paraardhësin e tij, në momentin që ai ka qenë vetvetja ai ka dështuar.
“Tentoi të vrasë atin e tij në politikë, dhe ka dështuar në momentin kur ka qenë vetja. Nuk kemi individë të cilët të frymëzojnë përveç kryetarëve” tha Vangjeli.
Fushata në PD për të zgjedhur kryetarin. Ka dhe një grup brenda PD që kundërshton garën duke e quajtur farsë.
Lorenc Vangjeli: Një rend i një njeriu të ngrirë për të marrë një mandat të dytë përballë një sfiduesi që del dhe flet jo për atë që do të bëjë, por mbahet mend në Tiranë për atë që nuk ka bërë. Është një moment dëshpërues për opozitën shqiptare, madje shumë më shumë se kaq. Është moment dëshpërues për të gjithë demokracinë shqiptare. Ka shumë kaos dhe kaotizëm, dhe është një teatër hipokrit i cili po vazhdon duke varfëruar fjalët.
Për sa do të vazhdojë kjo situatë?
Lorenc Vangjeli: Hipokrizia është një nga gjërat më të hershme të natyrës njerëzore. Kjo është një garë hipokrite, ne jetojmë në një kohë hipokrite dhe kemi personazhë të cilët thonë jo atë që mendojnë por atë që duan ata që publiku të dëgjojë. Mund të kemi një kryetar formal të PD më datë 23 korrik po nuk kemi garë. Mund të kemi një Parti Demokratike e cila do të jetë sërish në krahun e djathtë të Lanës, ku ka qenë në këto vitet e fundit por asgjë nuk është më njëlloj për atë parti. Mund të kemi gjithçka që simbolizon shprehjen: Sa më shumë duket që ndryshon, aq më shumë është e njëjta gjë. Është e dhimbshme të shohësh se sa shpejt mbyllet cikli i atyre që premtohen si reformatorë dhe në fund fare fillojnë një cikël të ri, për fat të keq jo aty ku e lanë.
Selami a është një figurë me ambicie reale për kreun e PD apo një kandidat kukull?
Lorenc Vangjeli: E refuzoj ta them këtë, por Selami ende ka një imazh pozitiv për të, por jo për atë që ka bërë apo për atë që premton të bëjë. Është ndër rastet e rralla në politikë, që duartrokitet për atë që nuk e lanë dikur ta bënte. Ka 20 vjet i shkëputur nga Tirana, që nga viti ’95 kur e detyruan të largohet. Në 4 vitet e rikthimit, nuk ka qenë një vlerë e shtuar e PD-së, por i heshtur. Nuk i di kredencialet e tij që do prezantojë në garë për PD, përveç njërës, që ai nuk është pjesë dhe nuk ka gisht në këtë humbje dramatike jo e PD-së, por e themelit të demokracisë shqiptare.
A vuan PD sot mungesën e figurave të tilla për të zënë postin e kryetarit të PD?
Lorenc Vangjeli: E gjithë politika shqiptare në fakt ngjan me një dyqan kostumesh të gatshme. E njëjta prerje, e njëjta ngjyrë, e njëjta masë, e njëjta formë. E vetmja gjë që ndryshon është kostumi i kryetarit por gjithë të tjerët tentojnë t’i ngjajnë atij. Ka një zbrazëti të madhe. Tentativa për të krijuar klasën politike, është një nga dështimet më spektakolare të tranzicionit shqiptar prej 3 dekadash. Janë një grusht emrash që kanë dalë nga vitet ’90. Shikoni PD-në. Basha u duk se pati sukses sidomos në dimrin e këtij viti, që tentoi të shkrinte të gjithë energjitë e tij si individ por dhe të forcës që parashikonte deri në momentin që u vetëngri. Ai ka qenë i suksesshëm deri kur nuk ka tentuar t’i ngjajë paraardhësit të tij. Tentoi të “vrasë” atin e tij në politikë, dhe ka dështuar në momentin kur ka tentuar të jetë vetja. Edhe për PS e njëjta gjë është, nuk kemi individë që të frymëzojnë përveç kryetarëve.
Si e parashikoni ju hapin tjetër që do të hedhin ata që e kundërshtojnë që në parim garën brenda PD-së?
Lorenc Vangjeli:Përpara kësaj, duhet të shpjegojmë se pse është ky ngut i Bashës për të rimarrë kreun e Partisë Demokratike. Se nëse bëhet fjalë vetëm për garën, do ishte një supë e ngrohur dhe e ftohur shqiptare disa herë dhe nuk do kishte ndonjë gjë të madhe, i njëjti moçal me të njëjta kallamishte. Problemi është se është dhe një plan tjetër, që zotit Basha i duhet firma e vula legjitime e kryetarit të PD jo për korrikun kur ai u ngri dhe do të shkrihet, por për shtatorin kur do të ngrijnë të gjitha ekuilibrat qeverisëse në vend , kur Rama t’u tregojë shqiptarëve se me çfarë kabineti do të qeverisë. Basha do që kur Rama të hedhë në tryezë qeverinë e tij, të shikojë dhe të jetë ndoshta pjesë e kësaj tryeze me spaletat dhe vulën në xhep të Partisë Demokratike. Kjo besoj se është arsyeja se pse Basha është kaq ashpërsisht kundër, dhe kaq arrogant ndaj kërkesave të këtij grupi kritik. Imagjinoni sikur Rama të kishte shkuar me kokfortësi e arrogancë në zgjedhje qoftë dhe pa PD-në. Basha po shkon në zgjedhje për t’u rizgjedhur kryetar partie pa opozitën e tij. Kjo është e dëmshme në rrafsh afatgjatë.
[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=piZo3NoLqGM&feature=em-uploademail” width=”560″ height=”315″]
KOHA JONË SONDAZH

