Dr. Mentor Petrela në “listën zezë” të Kryeministrit. Luan Rama: Kjo është fyerje për gjithë shoqërinë
(Në foto: Dr. Mentor Petrela)
Në listën e zyrtarëve të denoncuar nga Kryeministri si abuzues me detyrën është dhe emri i mjekut të njohur Mentor Petrela. Ky fakt ka sjellë reagime të shumta në rrjetet sociale, pasi Dr. Petrela është ndër kirurgët me të njohur në vend dhe është renditur mes mjekëve më të mirë në botë nga shoqatat ndërkombëtarë të mjekësisë.
Zëvendëskryetari i LSI-së, Luan Rama e ka cilësuar futjen e emrit të mjekut të njohur në listën e zyrtarëve që abuzojnë me detyrën si një fyerje që Kryeministri Edi Rama i ka bërë gjithë shoqërisë.
Postimi i plotë i Luan Ramës në Facebook:
“Dr. Mentor Petrela – referencë përkushtimi në shërbim të qytetarëve!
Nuk më befason fakti që një spiun anonim i është ankuar Kryeministrit të Rilindjes per Dr. Mentor Petrelën! Më fyen e më lëndon fakti që Kryeministri i vendit tim, bëhet zëdhënës i spiunit anonim dhe me një veprim të papërgjegjshëm publikon një listë me emra, mes të cilëve edhe emrin e Dr. Petrelës!
E njoh personalisht Dr. Petrelën dhe kam patur rastin të shoh drejtpërdrejt përkushtimin e tij në shërbim të jetës së njeriut, kam patur rastin të provoj humanizmin dhe profesionalizmin, qytetarinë dhe ndershmërinë e tij si përfaqësues i një brezi të shkëlqyer mjekësh dhe intelektualësh që i bëjne nder Shqipërisë!
Ndaj e përçmoj atë listë!
Sepse përndryshe, do të isha i pandershëm jo vetëm përballë Dr. Petrelës, po përballë një brezi të tërë intelektualësh e mjekësh të shquar që kanë shërbyer e shërbejnë me devocion e përkushtim, por do të isha i padrejtë edhe përballë babait tim që sot është në jetë falë Dr. Petrelës dhe ekipit të tij të talentuar, ku bëjnë pjesë mjekë të shkelqyer si Dr. Arsen Seferi, Dr. Kaloshi e shumë të tjerë!”.
KOHA JONË SONDAZH

