Dritëro Agolli: Të hapen dosjet, por pa hakmarrje

Një javë pasi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, paralajmëroi hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit, ai ka gjetur mbështetjen e patriarkut të letrave shqipe, i cili siç rrëfen më poshtë qëndrimin e tij për këtë çështje e ka dhënë edhe kohë më parë. Ndërsa këshillon zbulimin e të fshehtave, ai këshillon që procesi duhet të jetë i qetë, e pos kësaj, duket se paralajmëron që ndër vite, në to “mund të jenë bërë ndryshime, mund të jenë zbukuruar, mund të jenë shëmtuar, domethënë mund të ketë pasur ndërhyrje”. Dritëroi nuk lë pa kritikuar opozitën që gjendet jashtë parlamentit, ndërsa shprehet se hapja për publikun e bunkerit antibërthamor, me 5 dyer të blinduara, i emërtuar në vitet e regjimit komunist si “Objekti 0774″, me mbi 106 dhoma (mes tyre ajo e ish-diktatorit të komunizmit Enver Hoxha dhe e kryeministrit të asaj kohe, Mehmet Shehu) nuk e rehabiliton diktatorin. Në fund, ai uron për festat e nëntorit të gjithë shqiptarët, madje edhe vetë politikanët me këto fjalë: “Uroj që vitin tjetër politika të bashkohet për të mirën e vendit”.
Kryeminsitri i Shqipërisë, Edi Rama ka paralajmëruar një javë më parë hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit. A jeni dakord me këtë vendim?
Unë e kam thënë mendimin tim para shumë viteve, kur ishte vala e parë e kërkesave për hapjen e dosjeve. Po atë mendim kam edhe sot. Le të hapen dosjet që njerëzit të marrin vesh çka ndodhur, edhe ata që kanë dosje, edhe ata që nuk kanë, le të kuptojnë njëri-tjetrin. Doemos jo me një urrejtje hakmarrëse. Ju e dini që hakmarrja është përhapur shumë në vendin tonë, e po ashtu gjakmarrja. Ndokush do ketë ndonjë nip apo vëllain në ato dosje dhe do të fillojnë të ngujohen. Siç ju thashë, unë jam dakord që të hapen, nëse ka mbetur ndonjë dosje pa u hapur, sepse në përgjithësi, ato janë hapur pa urdhër. E them këtë, pasi të gjithë ia dinë njëri-tjetrit të fshehtat dhe shprehen për ato që dinë.
A mund të ketë ndodhur që janë zhdukur apo janë retushuar dosje, pra a mund të ketë pasur ndërhyrje në to?
Mirë është të pastrohen ata që janë përfolur dhe mirë është të mos trillohet. Ka kaluar një kohë e gjatë. Ka pothuaj një çerek shekulli që kërkohet të hapen dosjet dhe mund të jenë bërë ndryshime, mund të jenë zbukuruar, mund të jenë shëmtuar, domethënë mund të ketë pasur ndërhyrje në to dhe duhet pasur parasysh edhe kjo. Duhet kuptuar se çfarë thuhet në dosje në të vërtetë, pasi njerëzit mund të fusin në dosje edhe ato që janë botuar në gazeta e ato nuk janë pjesë e dosjeve dhe nuk kanë të njëjtën vlerë, pra nuk janë njësoj. Ka probleme që edhe zgjidhen, por ka kaluar kohë shumë e gjatë dhe shumë prej atyre njerëzve që kanë qenë më aktivët dhe më të zotët, edhe kanë vdekur.