Duka: Nëse shkohet në zgjedhje të parakohshme, opozita ka të njëjtin fat
Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka i ftuar në emisionin ‘5 Pyetjet nga Babaramo’ në Report Tv, ka akuzuar qeverinë për kalimin e ligjit për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar, ndërsa ka theksuar se buxheti i shtetit i ka aq para për ta rikonstruktuar, ndërsa godina e re duhej të ndërtohej diku tjetër. “Unë mendoj që vetëm tjetërsimi i pronës me ligj të posaçëm të lë të dyshosh. Do të ishte më e arsyeshme të shpenzosh disa para për këtë vepër për ta rikonstruktuar dhe teatri i ri të bëhej në një vend tjetër. Ka shumë debate edhe brenda grupeve të interesit. Shumica duan ta ruajnë, por ka edhe artistë të tjerë që mendojnë se duhet ndërtuar një teatër i ri. Po kaloi në parlament shkelës ligji nuk ka. Nevoja për një ligj të posaçëm do të thotë se është antikushtetues. Shteti duhet të nxjerrë një sasi parash, pasi i ka aq sa për ta rikonstruktuar, pasi u takon brezave dhe kombit. PPP mund të përdoren, por nuk mund të kthehen në metodë pune”,– tha Agron Duka.
Duka gjatë intervistës u ndal edhe të ata që opozita i cilëson oligarkë. Ai tha se këta njerëz kanë pasur favore edhe në kohën e PD, por jo si tani. “Këta njerëz kanë pasur favore edhe në kohën e PD, por jo si tani. Ata janë biznesmenë pragmatistë, por PD nuk i bëri ortakë, ndërsa tani po. Kjo ndikon te zgjedhjet. Ndikimi kryesor është lidhja e politikës me krimin, e dyta është kodi zgjedhor dhe e treta kjo”,– tha Duka.
Megjithatë aleati i Bashës përveç kritikave ka edhe vlerësime për qeverinë. “Programi i 100 fshatrave është nismë pozitive. Vlerësoj se ka një qasje pozitive në zonat rurale, por si janë zgjedhur këta 100 fshatra? Përsa i përket turizmit, është bërë zero TVSH për operatorët turistikë, por mjedisi është skandal. Plehra të hedhura në rrugë kudo, infrastruktura lë për të dëshiruar. Por ka një atraksion nga të huajt drejt Shqipërisë edhe për shkak të publicitetit dhe përmirësimit. Kemi privatin që e ka rritur kualitetin e shërbimit, cilësinë e hoteleve. Çmimet, pavarësisht se ka zëra që po abuzohet, por nuk janë të krahasueshme me vendet si Kroacia apo Mali i Zi, në Shqipëri janë më të lira. Ka një farë rritje të turizmit”,- u shpreh kreu i PAA.
Në muajt e fundit opozita nuk ka përjashtuar djegien e mandateve, por si e komenton Duka një gjë të tillë? “Çfarë do të arrijmë nëse do të djegim mandatet? Pasi nëse i djegim shkojmë në zgjedhje të parakohshme, por a është gati opozita? Betejat kryesore për të cilat ajo ka luftuar, Reforma zgjedhore, zhbërjen e lidhjes së politikës me krimin, etj, nuk janë zgjidhur. Nëse shkohet në zgjedhje të parakohshme në situatën që jemi opozita ka të njëjtin fat”,- u shpreh Agron Duka.
KOHA JONË SONDAZH

