Duka: Nismat në sektorin e energjisë, aksione të pispillosura si reforma
Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka, nëpërmjet një postimi në Facebook ka reaguar ndaj projektligjit për sektorin e energjisë që po diskutohej sot në Parlament. Duka kujton ngecjen e “reformës” në sektorin e energjisë, duke theksuar se ka papërgjegjshmëri dhe mungesë transparence në këtë sektor.
Teksti i plotë:
Aksionet e pispillosura si “reforma” po dështojnë edhe në sektorin e energjisë
Sot në Parlament po diskutohet projektligji për sektorin e energjisë elektrike, në kuadër të përafrimit të mëtejshëm të tregut me komunitetin e energjisë.
Ndonëse është propaganduar shumë, dhe batuta më e përdorur edhe në këtë rast ka qenë: “Kemi bërë sa nuk është bërë në 27 vite”; ka disa të vërteta të hidhura për sektorin e energjisë elektrike që mazhoranca nuk ka kurajë të përballojë. Disa nga këto të vërteta nuk dalin nga goja e opozitës, por e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.
Sipas hetimit të rrjetit investigativ BIRN, kompania publike e shpërndarjes së energjisë elektrike OSHEE, është nën hetim nga prokuroria për akuzat se mbi faturon një pjesë të klientëve të saj, duke i krijuar mundësi vetes të ulë artificialisht nivelin e humbjeve në rrjet. Po ashtu, të dhënat e bëra publike nga Enti Rregullator i Energjisë dhe dy raporte më vete nga FMN dhe Banka Botërore i japin notë negative planit të qeverisë shqiptare për të rimëkëmbur sektorin e energjisë elektrike dhe shprehin shqetësim për “ngecjen” e reformës gjatë zgjedhjeve të vitit 2017.
Pra, pas ndëshkimeve masive të qytetarëve të vitit 2014, jemi përsëri në pikën zero, pasi jo vetëm humbjet në rrjet vazhdojnë, por sot shtohen mbi faturimet korruptive.
Sigurisht, formalizimi në të gjitha sektorët, është një hap i domosdoshëm për shoqërinë tonë. Përpjekjet për formalizim janë të një rëndësie të veçantë për legjitimitetin e shtetit, për ndërtimin e një demokracie funksionale, dhe çdo përpjekje që shkon në këtë drejtim duhet përshëndetur.
KOHA JONË SONDAZH

