E bujshme/Miratohet ligj ku nuk lejohen oligarkët të fusin hundët në punët e shtetit

VOA shkruan se “Parlamenti i Ukrainës miratoi të enjten një ligj për personat e konsideruar si “oligarkë”, që të regjistrohen e të qëndrojnë jashtë politikës. Ky zhvillim vjen vetëm një ditë pas një përpjekjeje për të vrarë një ndihmës të lartë të Presidentit Volodymyr Zelenskiy, për të cilin zyrtarët dyshojnë, se mund të ishte si kundërpërgjigje ndaj reformës.

Ligji jep përkufizimet e të qënit oligark dhe u jep autoriteteve fuqinë të përcaktojnë individët që plotësojnë kriteret. Oligarkëve do t’u ndalohet të financojnë partitë politike, ose të marrin pjesë në proceset e privatizimeve. Zyrtarëve të lartë, përfshirë presidentin, kryeministrin dhe kreun e bankës qendrore, do t’u kërkohet të deklarojnë marrëdhëniet që kanë patur me ta.

Presidenti Zelenskiy thotë se është e nevojshme që vendi të mbrohet nga biznesmenë të fuqishëm, që kanë korruptuar sistemin politik për dekada të tëra. Kundërshtarët e tij druhen se ligji do të zbatohet në mënyrë selektive për të përqendruar më shumë pushtet në duart e presidentit.

Ligji kaloi një procedurë paraprake në muajin korrik. Pas miratimit të tij të enjten, me 279 vota pro në parlamentin me 450 vende, tashmë ai pritet të shkojë për firmën përfundimtare tek Presidenti Zelenskiy.

Ekipi i zotit Zelenskiy ka lënë të kuptohet se pas përpjekjeve për të vrarë Serhiy Shefir-in, një ndihmës i lartë dhe mik i ngushtë i presidentit, qëndron zemërimi që ka shkaktuar ky ligj. Makina e zoti Shefir u godit me armë zjarri të mërkurën nga persona të paidentifikuar, ndërsa ndodhej në disa fshatra jo shumë larg kryeqytetit.

Zoti Shefir nuk pësoi dëmtime ndërsa shoferi i tij u plagos. Policia po kërkon armën me të cilën u krye sulmi si dhe po interviston dëshmitarët e mundshëm, që siç tha të enjten zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme Artem Shevchenko, po mblidhnin kërpudha aty pranë.

Në një postim në Facebook ai e quajti atë një atentat të vërtetë e “jo të inskenuar”.

Në vitin 2019 zoti Zelenskiy fitoi zgjedhjet me një shumicë dërrmuese, duke premtuar se do të trajtojë çështjet që lidhen me korrupsionin dhe do të ndalë ndikimin e oligarkëve, që kanë dominuar biznesin, që nga rënia e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, si dhe që ushtrojnë ndikim në politikë dhe media.

Sipas ligjit, Këshilli i Sigurisë dhe i Mbrojtjes Kombëtare, i kryesuar nga presidenti, ka fuqinë të përcaktojë dikë si oligark”- sqaron VOA në shënimin e tij online.

Por kjo ka ndodhur në Ukrahinë e jo në Shqipëri.

Shënim: Oligarkia (nga greqishtja e vjetër ὀλιγαρχία / oligarkhía, shkurtim nga ὀλίγος / olígos (« vogël »), dhe ἄρχω / árkhô (« urdhër») është një formë qeverisje ku pushteti i është rezervuar një grupi të vogël të njerëzve të cilët formojnë një klasë dominuese pushteti.

Ne mund të dallojmë oligarkitë institucionale dhe oligarkitë e faktit. Oligarkia institucionale është një regjim politik ku kushtetutat dhe ligjet i rezervojnë pushtetin vetëm një pakice të vogël të qytetarëve. Oligarkia e faktit është shoqëri në të cilën qeveria është kushtetuese dhe demokratike e hapur për të gjithë qytetarët, ku në fakt pushteti është i marrë nga një pjesë e vogël e këtyre.

SHKARKO APP