Rama ndërron udhën kryeministri-Kryesi Kuvendi dhe vrapon kah “SHQUP”
Edi Rama ka lajmëruar vetë se kur do të mblidhet Parlamenti, ndërkohë sipas ligjit dhe rregullores se Kuvendit është kryetari i Kuvendit që vendos thirrjen e seancës. Por sapo Edi Rama bëri paktin me liderin e opozitës, Lulzim Basha, duket se ka vendosur të sfidojë edhe kreun aktual të Kuvendit, i cili është President i zgjedhur. Kryeministri ka lajmëruar vetë se parlamenti do të mblidhet të hënën, bile ka caktuar edhe orën. Ndërkohë Kuvendi i është përgjigjur kërkesës së kryeministrit Edi Rama për zhvillimin e një sesioni të jashtëzakonshëm. Bazuar në nenin 74 të Kushtetutës dhe në nenin 42 të Rregullores së Kuvendit, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë Edi Rama, i ka drejtuar Kuvendit një kërkesë të motivuar me shkrim për thirrjen e Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm.
Kërkesa ka përcaktuar që thirrja e Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm të zhvillohet ditën e hënë, më datë 22 maj 2017, në orën 18.00.
Rendi i ditës i seancës plenare do të përmbajë diskutimin dhe votimin e çështjeve për vënien në zbatim të Marrëveshjes Politike të datës 18 maj 2017, lidhur me:
– Votimin e dekreteve të Presidentit të Republikës për lirim dhe emërim të zëvendëskryeministrit dhe të 6 ministrave;
– Shqyrtimin dhe miratimin e paketës ligjore që ka lidhje me reformën zgjedhore;
– Miratimin e anëtarëve të pakicës parlamentare në 3 komisionet ad hoc të vettingut, si dhe caktimin e zëvendësuesve;
– Zgjedhjen e Kryetarit dhe një anëtari të KQZ-së.
Në përputhje me Rregulloren e Kuvendit dhe afatet e parashikuara në të, Kryetari i Kuvendit do të nxjerrë urdhrin për mbledhjen e Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm dhe do të publikojë rendin e ditës. Ndonëse kryeministri kërkoi të përcaktonte dhe vendoste gjithçka, përsëri ai nuk mund të bëjë asgjë pa urdhërin e Ilir Metës. Në rastet e tjera Rama nxitonte të shkonte te ndertesa e Kuvendit për të takuar bashkëkryetarin e koalicionit Meta, ndërsa prej tre ditësh ka ndërruar rrugën; shkon te Lulzim Basha. Edhe sot kryeministri Rama ishte në qarkun e Korçës dhe ka kërkuar që të ketë pranë vetes kryebashkiakun e PD-së në Devoll. Gjatë turit të tij në Qarkun e Korçës, Edi Rama vizitoi qendrën e Bashkisë Devoll, e cila ka nisur transformimin në sajë të projektit të rikualifikimit urban.
Aty e priti kryebashkiaku i djathtë, Bledion Nallbati, i cili falenderoi Ramën për çeljen e projektit dhe uroi që të kishte edhe bashkëpunime të tjera.
“Pedonalja në qendër të qytetit shkon 500 metra linearë. Punët e mira nuk ka nevojë për komente. Unë ju kam falënderuar që në çeljen e projektit. Uroj që të kemi të tjera bashkëpunime. Populli i Devollit ka nevojë për më shumë mbështetje”, – tha Bledion Nallbati, kryetari i Bashkisë së Devollit.
Rama u përgjigj duke thënë se kjo është një pasqyrë e mirë me PD-në. Bile ka insistuar të shëtisin bashkë me të dhe që fotot e kryeministrit me kryebashkiakun e PD të shpërndaheshin në media.“Patjetër, kjo është një pasqyrë e mirë e bashkëpunimit me Partinë Demokratike. Do të vazhdojmë me sheshin dhe me pjesën tjetër, pastaj shohim për t’u futur më thellë se çfarë problemesh ka”, – tha kryeministri Edi Rama.

[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=QQQulN_TFaA” width=”560″ height=”315″]
KOHA JONË SONDAZH

