Flet kandidati i LSI për Bashkinë e Kavajës: Hyra në garë për një synim…
Maksim Kona do të jetë kandidati i LSI për Bashkinë e Kavajës në zgjedhjet e 25 qershorit. Emri i Maksim Konës është dërguar nga LSI për regjistrim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
59-vjeçari Maksim Kona ka studiuar për inxhinieri në Itali dhe gjithë këto vite e ka ushtruar profesionin mes Shqipërisë dhe Italisë.
Në një prononcim për “News24” e “BalkanWeb”, Maksim Kona tha se synimi i tij është të kontribuojë për qytetin e Kavajës.
“Synimi im është të kontribuoj për qytetin ku u linda dhe u rrita, përtej logove politike. Dua që të bëjmë dhe të zhvillojmë sa më shumë projekte për Kavajën. Në gjithë këto vite jeta ime dhe karriera profesionale është ndarë mes Italisë dhe Kavajës, ku në çdo moment kur kam mundur kam kontribuuar për qytetin tim”, tha Kona.
Dalja surprizë e LSI me një kandidat të sajin për zgjedhjet e Kavajës vjen pas marrëveshjes politike midis PS dhe PD ku LSI shprehu rezervat e saj.
Më herët LSI kishte deklaruar se ajo nuk do të merrte pjesë në zgjedhjet e Kavajës, pasi Partia Socialiste nuk ishte konsultuar me LSI për kandidatin që do të nxirrnin në Kavajë.
KOHA JONË SONDAZH

