Gara për kreun – Basha e Selami nisin sot fushatën nga Lezha
Zgjedhjet në PD, 104 mijë anëtarë demokratë votojnë më 22 korrik. Nga filtrimi i listave, PD humbi 1 mijë anëtarë
Dy rivalët në garën për kreun e ri të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe Eduart Selami do t’i shohim jo vetëm në fushata të ndara, por edhe bashkë gjatë prezantimit të platformave të tyre përpara anëtarësisë. Dy kandidatët për kryetar të Partisë Demokratike Eduart Selami dhe kryetari i ngrirë Lulzim Basha nisin sot zyrtarisht fushatën. E qyteti i parë ku do ndalojnë dy kandidatët është Lezha. Kryetari i PD-së në Lezhë Paulin Marku ka bërë një njoftim në “Facebook” duke ftuar anëtarët dhe mbështetësit të marrin pjesë në prezantimin e kanditaturave për Kryetarin e PDSH-së. Prezantimi do të jetë në të njëjtin vend, në Pallatin e Kulturës në Lezhë, ndërsa i pari që do të dalë para bazës do të jetë Selami, të cilit i është lënë rreth 90 minuta kohë për të folur me anëtarët dhe mbështetësit, (10:00-11:30) duke kërkuar votën për t’u zgjedhur kryetar i PD-së. Pas tij radha do të jetë e kryetarit të ngrirë të PD-së Lulzim Basha, i cili kërkon edhe një mandat tjetër për të drejtuar partinë më të madhe opozitare në vend, pas kritikave, kundërshtarëve të shumtë dhe humbjes së zgjedhjeve të 25 qershorit.
Fushata zgjedhore
Nga dita e djeshme ka filluar zyrtarisht edhe fushata për kryetarin e PD, ku përballen Lulzim Basha që ka ngrirë funksionet drejtuese në krye të PD, me Eduard Selamin, themelues dhe ish-kryetar i Partisë Demokratike. Demokratët do t’ju drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e ri më 22 korrik. Një pikë e fortë diskutimi në këtë proces votimi janë anëtarët që do të votojnë. Pas filtrimit të anëtarësisë së PD që u krye në mars nga strukturat e kësaj force politike për shkak të pretendimit të largimit të anëtarëve, rezulton se aktualisht PD ka 104 mijë anëtarë. Nga filtrimi i muajit mars janë pastruar rreth 1 mijë anëtarë të PD, pra në 22 korrik, vetëm 104 mijë anëtarë të PD do t’i drejtohen kutive të votimit sipas parimit 1 anëtar 1 votë. Ky votim kryhet për herë të dytë në PD pasi 4 vite më parë u përballën me anëtarësinë përmes këtij parimi, 2 kandidatët Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi, ku rezultoi fitues Basha me 80% të votave dhe drejtoi demokratët përgjatë 4 viteve në opozitë. Jemin Gjana, në cilësinë e kryetarit të komisionit për zgjedhjet në PD pas mbledhjes që zgjati për më shumë se dy orë tha se u vendos që pjesë e votimeve do të jenë të gjithë ata anëtarë, të cilët kanë një teserë partie edhe pse nuk figurojnë në regjistrin elektronik të anëtarësisë së partisë. “Lista do përmbajë edhe emrin e çdo anëtari të PD që disponon një teser partie nder vite, por që për arsye teknike nuk është në regjistrin e përditësuar. Këta antarë deri në 12 korrik duhet të paraqiten pranë degëve të PD me dokumentin që disponojnë nga viti 91 e ne vijim dhe degët do administrojnë një fotokopje të dokumentit për këta anëtarë…”- deklaroi dy ditë më parë lidhur me procesin zgjedhor, Jemin Gjana. / Herion Mesi
KOHA JONË SONDAZH

