Gara për kreun e PD, mbyllet afati, Patozi nuk regjistrohet
Zgjedhjet, Basha përballë Selamit dhe 2 anëtarëve
Mbrëmë ishte afati i fundit për t’u regjistruar në garën për kryetar të Partisë Demokratike për zgjedhjet që do të zhvillohen në datë 22 Korrik përmes parimit një anëtar, një votë.
Por pas mbylljes zyrtare të afatit, Shqiptarja.com mëson se Astrit Patozi nuk është regjistruar në garë.
Pak ditë më parë Patozi deklaroi se do të regjistrohej në garë, por me disa kushte, kryesori ishte dorëheqja e Lulzim Bashës dhe largimi i tij së bashku me stafin nga selia dhe jo ‘ngrirja’ e tij.
Por Basha vijoi që të qëndrojë i ‘ngrirë’ ndërsa përsa u përket kompetencave u shpreh se i delegoi te dy nënkryetarët Edmond Spaho dhe Edi Paloka, si dhe sekretarit të Përgjithshëm Arben Ristani.
Gjithashtu Patozi kërkoi edhe ndryshimin e datës së zgjedhjeve, pasi sipas tij është vendosur në kundërshtim me statutin e partisë Demokratike.
Në këtë pikë edhe Ristani doli në krah të Patozit pak ditë më parë publikisht, pasi deklaroi se statuti u shkel në përcaktimin e datës së zgjedhjeve, por Basha sërish nuk u tërhoq.
Zgjedhjet, Basha përballë Selamit dhe dy anëtarëve
Por pas mbylljes së afatit zyrtar, në garë për postin e kryetarit të PD janë vetëm Lulzim Basha, Eduard Selami dhe dy anëtarët Astrit Sinanaj e Erion Piciri.
Nëse nuk do të pranohen kandidatura të tjera dhe nëse zgjedhjet nuk do të shtyhen, atëherë gara do të zhvillohet vetëm mes Bashës dhe Selamit, pasi dy anëtarët nuk parashikohet që të bëjnë surprizën.
Nëse nuk do te kete levizje te tjera, mbetet për t’u parë nëse grupi ‘rebel’ në PD do të mbështesë Selamin kundër Bashës për zgjedhjet e 22 Korrikut, që nga të gjithë kërkohet që të shtyhen, por Basha është i vendosur që gjithçka të përfundojë brenda këtij muaji.
KOHA JONË SONDAZH

