Gjiknuri në Shushicë: Subvencione transparente për bujqësinë
Subvencionet në bujqësi dhe investimet në infrastrukturën mes fshatrave ishin premtimet e dhëna gjatë takimit të zhvilluar nga drejtuesi politik i Qarkut të Vlorës në njësinë e Shushicës.
“E kemi mundësinë që me një mandat të plotë të Partisë Socialiste ti çojmë përpara këto reforma. Ju jeni zonë bujqësore, ju keni nevojë ndihme nga shteti për infrastrukturë, për mirëmbajtje dhe investime në bujqësi. Keni nevojë edhe për subvencionime në bujqësi por duhet një skemë e pastër subvencionimi dhe transparente. Jo skema favorizuese. Unë ju them se me një qeverisje të përgjegjshme të Partisë Socialiste, edhe në sektorin e bujqësisë do të shikoni që do të përmirësohet shumë subvencioni për fshatin. Këtë jua garantoj dhe do ti rri mbi kokë vet kësaj pune”, premtoi Gjiknuri.
Kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli vuri theksin tek investimi i sapo përfunduar për ndërtimin e rrugës së Risilisë.
“Sot, në një fushatë të re, në fushatën për Partinë Socialiste, për partinë e premtimeve të mbajtura, jam krenar para jush për tu thënë ta gëzoni këtë rrugë e cila u investua falë votës suaj, falë mbështetjes tuaj për Partinë Socialiste, falë përpjekjes së të gjithë njerëzve dhe në veçanti të Damian Gjiknurit. Javën që shkoi ne aplikuam për projektin e ri për 40 kilometra rrugë në të gjithë territorin e zonave rurale duke filluar nga Llakatundi deri në Bestrovë dhe të gjithë fshatrat do të lidhen për të dalë deri në autostradë”, nënvizoi Leli.
Kryetari i Partisë Socialiste të Vlorës Anduel Tahiraj tha se banorët e Shushicës e kanë provuar të votojnë për kundërshtarët dhe tanimë i kanë të qarta kostot.
“Ju e keni provuar të votoni edhe kundërshtarët tanë dhe ata e kanë lënë Shushicën dhe gjithë njësinë e Llakatundit në këtë gjendje. Unë ju them se këto zgjedhje të 25 Qershorit nuk duhet të ndodhin më nga këto historira”, u shpreh Tahiraj.
KOHA JONË SONDAZH

