Kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu takon homologun holandez
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu merr pjesë në takimin e Drejtorëve të Policive Evropiane që zhvillohet në qendrën e Europol në Hagë, Holandë. Veliu shoqërohet nga shefi i Zyrës Kombëtare Europol dhe oficeri i kontaktit të Policisë së Shtetit në Europol. Gjatë kësaj vizite ai zhvilloi një takim të veçantë me Drejtorin e Përgjithshëm të Holandës Erik Akerboom.
Në këtë takim ai falënderoi Drejtorin e policisë holandeze për bashkëpunimin gjatë operacionit të fundit të koduar “OAZ”, që u finalizua në bashkëpunim me Policinë holandeze ku u godit një grup kriminal që operonte në Shqipëri dhe Holandë. Në fjalën e tij, Akerboom theksoi se ky operacion tregoi nivelin e besimit ndërmjet dy policive dhe konfirmoi se do të pasohet nga shkëmbime të mëtejshme informacionesh dhe operacione të tjera të përbashkëta.
Nga ana tjetër, Drejtori i Policisë holandeze shprehu falënderime për punën e policisë shqiptare dhe të oficerëve të kontaktit në të dy vendet. Në fund të takimit, Veliu ftoi Drejtorin e Përgjithshëm Akerboom për një vizitë në Tiranë, ftesë e cila u prit me kënaqësi nga homologu holandez.
”Grupi Bajri, në bashkëpunim edhe me grupe të tjera kriminale, brenda dhe jashtë Shqipërisë, dyshohet se trafikonin lëndë të forta narkotike në Evropë dhe paratë e fituara nga ky aktivitet i investonin brenda vendit”, shpjegoi drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, gjatë konferencës e së shtunës.
E provuar sipas prokurorisë është edhe akuza për dy vrasje, sikurse edhe e 15-vjeçares Fabiola Bajri, bashkëjetuese e njërit prej të dyshuarve. Vrasja e saj u raportua si vetëvrasje 20 vjet më parë, edhe pse gruaja ishte qëlluar me një plumb, ndërsa edhe pas të shtënave arma u gjet me fishekë gati për qitje. Krimi i dytë dyshohet se është kryer për shkaqe banale.
Nga ana tjetër, prokuroria po heton edhe për pastrim parash, një vepër që ka dyshime se kryhej përmes fajdeve. Nën hetim pasuror janë edhe pasuritë e të dyshuarve, mes të cilave edhe dy biznese. Për 11 pjesëtarët e grupit ”Bajri”, Gjykata caktoi masën e sigurisë ”arrest me burg”.
KOHA JONË SONDAZH

