Haxhinasto: Edi Rama nuk do që kjo krizë të zgjidhet
Ish-ministri i Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, u ka bërë thirrje të gjitha palëve politike të gjejnë një zgjidhje të krizës së thellë politike, në mënyrë që t’i hapin rrugën Shqipërisë për në Bashkimin Evropian.
Në rubrikën “Opinion”, në News 24, Haxhinasto tha se më përgjegjësi për krizën ka Rama, i cili sipas tij, duhet të bëjë hapa konkret për zgjidhjen e krizës.
“Rama të bëjë hapa konkretë për zgjidhjen e krizës. Ai nuk ka asnjë dëshirë për ta zgjidhur krizën. Ky hendek i jashtëzakonshëm nuk kishte pse të ndodhte për cilësinë si bëhet politika nga mazhoranca. Kjo nuk ka kursyer as artistët, siç është çështja e teatrit. Kjo është shenjë e polarizimit të jashtëzakonshëm. Edhe çështja e teatrit duhet të zgjidhej me mekanizma, si referendum, gjë e cila nuk është bërë. Nuk kemi vetëm krizë ekonomike, politike, institucionale, por tani ka shkuar thellë edhe në një krizë të thellë të shoqërisë. Ky është një gabim shumë i rëndë”, tha Haxhinasto.
Rama tha sot se është i gatshëm për dialog, a është i nevojshëm dialogu?
Dialogu është një instrument i domosdoshëm i politikës. Vetëm sistemet autoritare nuk e përdorin, ose e përdorin për qëllime fasade. Çdo drejtues i mazhorancës ka përgjegjësi ndaj qytetarëve. Vendi duhet të ketë një situatë normale për të ecur përpara. Dialogu duhet të ishte bërë, sot Shqipëria duhet të kishte treguar maturi politike. Nuk shikoj asgjë pozitive në këtë lloj mënyrë si është zgjedhur, nga mazhoranca veçanërisht, për të zgjedhur hapin e forcës.
Rama thumboi Metën …
Nuk vlejnë të komentohen deklarata të tilla. Duke e njohur Presidentin dhe duke qenë bashkëpunëtor i tij e di shumë mirë çfarë vokacioni transatlantik ka ai edhe evropian edhe amerikan, mbi bazën e vlerave dhe parimeve dhe janë përkthyer në hapa konkret. Meta ka qenë ndër themeluesit kryesor të marrëdhënieve tona me jashtë. Edhe rezultatet konkrete e të prekshme që janë realizuar në kohën kur Meta ka pasur detyra të rëndësishme, mendoj se aludime të tilla nuk shërbejnë.
Marrëdhëniet e opozitës me ndërkombëtarët?
Kemi defekt shumë të madh në mënyrën si i trajtojmë ndërkombëtarët. Shpeshherë ndjehet e paaftë për të gjykuar politika të ndryshme, mbi bazën e parimeve demokratike, dhe si zgjidhje ne gjejmë shpresë te ndërkombëtarët. Kjo ka krijuar shumë paqartësi në politikën shqiptare dhe nuk i ka shërbyer si duhet marrjes së përgjegjësisë nga politika shqiptare. Është pamaturi e politikës shqiptare, e cila duhet në këtë moment, që pret hapjen e negociatave, të ketë një maturi dhe përgjegjshmëri shumë të thellë e të madhe për të dalë nga vetvetja, pozicionet partiake dhe për të ushtruar përgjegjësitë si duhet ndaj qytetarëve. Politika ekziston për t’i shërbyer qytetarëve.
KOHA JONË SONDAZH

