Haxhinasto: Reforma në drejtësi mori një goditje të rëndë, Rama kapi Kryeprokurorin
Deputeti i LSI-së, Edmond Haxhinasto, tha në studion e “Syri.net” se reforma në drejtësi është një vullnet i padiskutueshëm i politikës shqiptare, pasi këtë reformë e presin qytetarët shqiptarë. Por kjo reformë morri një goditje të rëndë me zgjedhjen në mënyrë të njëanshme dhe pa konsensus të Prokurorit të Përgjithshëm.
“U bë një shkelje e pastër e Kushtetutës, nuk u shkatërrua vetëm konsensusi. Kushtetuta u shkel në mënyrën më flagrante dhe pasojat do të jenë të jashtëzakonshme, qoftë për ekonominë ashtu edhe për investitorët”, tha Haxhinasto.
Në vijim ai shtoi se opozita nuk po bllokon reformën në drejtësi, madje përfaqësues të lartë të opozitës janë shprehur se nëse zgjedhja e Kryeprokurorit do të ishte bërë sipas dispozitave kushtetuese, ne do ta mbështesnim kandidaturën, pavarësisht se cila ishte ajo.
“Argumentet që jep mazhoranca duke akuzuar opozitën janë shumë të dobëta, janë retorika boshe, që synojnë të fshehin thelbin e së vërtetës që është përdorimi i pushtetit gjyqësor për të rritur pushtetin politik”, tha Haxhinasto.
Sipas tij, prishja e konsensusit politik, shkelja e Kushtetutës dhe ligjit, nuk çojnë askund tjetër veç kapjes së institucioneve të drejtësisë, në rastin konkret të Kryeprokurorit.
“Këmbanat e alarmit kanë rënë qartë dhe për këtë që po ndodh duhet të jemi të ndërgjegjshëm të gjithë qytetarët”, tha Haxhinasto.
Vota kundër SHBA
Deputeti i LSI-së theksoi se vota e Shqipërisë në OKB ka të bëjë me procesin dhe me substancën, dhe në fund ka të bëjë me rezultatin, pra me votën.
I pyetur rreth votës së Shqipërisë në OKB nga moderatori Alen Xhelili, Haxhinasto tha se Shqipëria kishte dhe të drejtën të abstenonte.
“Pika më solide e referencës është çfarë përtimi pati Shqipëria nga një qëndrim i tillë. A ishte ky qëndrim i domosdoshëm? E tha edhe presidenti se ky nuk ishte një qëndrim i domosdoshëm, impakti i rezolutës ishte më shumë politik, sesa një veprim që do të sillte pasoja në lidhje me një përmirësim të situatës. Nëse një qëndrim i caktuar kontribuon për paqen atëherë është i mirëpritur. Pse Shqipëria renditet në vendet që qëndrojnë kundër SHBA? Ishte edhe opsioni i abstenimit, sikundër vepruan shumë shtete të BE-së, që do të thotë se nuk ka pasur një unifikim të BE_së. Mendoj se duhej të kishim një votë abstenuese, sepse kaq është fuqia jonë. Çështja e votës abstenuese nuk do të cenonte marrëdhënien me SHBA-të, shtetin që ka bërë aq shumë historikisht për Shqipërinë”, tha Hxhinasto. Sipas tij, abstenimi do të ishte një qëndrim më i pranueshëm dhe nuk do të prekte interesat madhore qoftë të Shqipërisë, qoftë të aleatëve strategjikë. Në vijim ai shtoi se ne jemi lojtarë modestë në politikën rajonale dhe më gjerë. “Në këtë kuadër duhet të vendosim interesin tonë kombëtar sa herë që kërkohet rreshtimi në një krah apo krahun tjetër. Nuk mendoj se do të kemi pasoja nga kjo votë, pasi jemi afirmuar si një vend që kemi mbështetur dhe përkrahur SHBA. Besoj se pasoja e një veprimi të tillë të mos ketë ndikime në marrëdhëniet tona me SHBA”, tha Haxhinasto.
KOHA JONË SONDAZH

