Idrizi: Po shkojmë në zgjedhje me parimin “Stalinist”
Kreu i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka zhvilluar një takim me banorë të Njësisë nr.10 në Tiranë, ku të pranishën ishn edhe deputetja Mesila Doda, dhe kandidatët për deputet për qarkun e Tiranës, Marin Rami dhe Arjan Hamiti.
“Gjatë bashkëbisedimit me banorët, Idrizi u shpreh se zgjedhjet bëhen jo vetëm për partitë politike, por për t’ju dhënë mundësi shqiptarëve të zgjedhin ata që do t’i drejtojnë. Këto janë zgjedhje të pazakonta për ne shqiptarët. Janë të pazakonta sepse gjysma e spektrit politik sot rrezikon që të mos marrë pjesë në zgjedhje. Ne mendojmë që zgjedhjet nuk bëhen thjesht dhe vetëm për partitë politike, por është një mundësi që demokracia u jep qytetarëve të Shqipërisë. Duhet të ketë sa më shumë njerëz që të marrin pjesë në vendimmarrje. Për shkak të konfliktualitit politik një pjesë e mirë e qytetarëve të Shqipërisë mund të jenë të papërfaqësuar në këto zgjedhje”, u shpreh kryetari i PDIU-së.
Idrizi theksoi se PDIU ka propozuar një pakt kombëtar për të zgjidhur ngërçin politik, ndërkohë që u bëri apel qytetarëve t’i bashkohen sloganit “Veç një Atdhe”.
“Ne kemi propozuar një pakt kombëtar. Një pakt kombëtar ku të gjithë shqiptarët ishin dakort dhe që forcat politike të uleshin për të gjetur një zgjidhje. Ne kemi dhënë votat tona pa asnjë kusht për reformën në drejtësi dhe për reformën administrative. Ne kemi propozuar edhe një pakt kombëtar për reformën zgjedhore. Ne shkojmë në zgjedhje me parimin “Stalinist” ku populli voton dhe dy partitë e mëdha numërojnë. Ne mendojmë që vota e qytetarëve të Shqipërisë është e barabartë. Vota nuk mund të transformohet në thasë mielli apo në para, në radhe të parë është dinjiteti jonë si qytetarë dhe si shqiptarë. Votoni nr.5 dhe që këtë vend të mos j’ua lëmë të marrëve”, tha Shpëtim Idrizi.
Ndërsa deputetja Mesila Doda u shpreh se Shqipëria ka nevojë për një ekonomi më të zhvilluar, taksa më të ulta dhe jo për konfliktualitet politik.
“E keni parë që forcat e mëdha politike kanë mbërritur në një lloj dueli bajlozësh me njëra-tjetrën. Një palë që del e thotë se sa shumë arritje ka bërë gjatë kësaj kohe, por mesa duket nuk gjen ndonjë defekt që ekonomia nuk po rritet, emigracionin e rritur, papunësinë dhe një palë tjetër e cila është ngujuar dhe të vetmin problem që ka, është të marrë patjetër pushtet. Të vetmit njerëz që janë marrë peng deri më tani janë qytetarët e Shqipërisë. Ky vend ka nevojë për një ekonomi të zhvilluar, për taksa më të ulta dhe një shtet që funksionon më së miri. Ky është plani i PDIU-së”, u shpreh Doda.
KOHA JONË SONDAZH

