Ilir Meta: Kahreman Ylli figurë frymëzuese për të rinjtë
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mori pjesë në konferencën shkencore me temë “Trashëgimia institucionale dhe jetësore e Kahreman Ylli”. Aktiviteti i organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave, Universitetin Politeknik, Universitetin e Tiranës dhe Shoqatën “Tomorri” u zhvillua në kuadër të 100-vjetorit të lindjes së Kahreman Yllit, udhëheqës i LANÇ, diplomat, dhe përfaqësues i Shqipërisë në Gjyqin Ndërkombëtar të Hagës, Ministër i Arsimit, Rektor i Universiteti të Tiranës dhe deputet. Të pranishëm ishin personalitete të botës akademike, ministra, deputetë, studiues, shkrimtarë, etj.
Në fjalën e mbajtur në këtë konferencë, Meta vlerësoi Kahreman Yllin si një figurë e jashtëzakonshme, që spikaste me mençurinë, urtësinë, largpamësinë dhe mbi të gjitha modestinë e raportin njerëzor.
“Fakti që kur takoj njerëz, të cilët e kanë njohur, bashkëkohës të tij në rrethana të ndryshme dhe bie fjala për të, të gjithë reagojnë me pozitivitet. Tregojnë se çfarë vlerash njerëzore ka lënë pas një personalitet i tillë, përveç veprave dhe kontributeve. Sepse është e lehtë që njerëzit të shprehin një lloj respekti për dikë kur ka një pozitë, por është shumë e rëndësishme ta kujtojnë me respekt, me dashuri, me vlerësim, kur ai nuk e ka këtë pozitë”, – tha Kryetari i Kuvendit, i cili theksoi se Kahreman Ylli, edhe pse u shkollua jashtë vendit, zgjidhi të kthehej në atdhe dhe të kontribuonte në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare si edhe në diplomaci.

“Ky është një personalitet i jashtëzakonshëm që kaloi nga libri te pushka, dhe nga pushka te diplomacia dhe te libri përsëri, ashtu siç e kërkonte koha, por e kërkonte edhe interesi i vendit. Fakti që një njeri ikën nga një zonë aq e thellë dhe e prapambetur në një qytet aq të zhvilluar si Lioni, dhe ikën atje për t’u kthyer përsëri, për të kontribuar në vendin e tij. Jo vetëm kaq, por i bashkohet Luftës Antifashiste ku ka qenë edhe ndër drejtuesit kryesorë, jo vetëm të qarkut të Beratit, por edhe të formacioneve partizane, dhe më pas bën gjithçka që të përfaqësojë sa më ndenjësish vendin e tij në Konferencën e Paqes, në Gjykatën e Hagës për incidentin e kanalit të Korfuzit dhe në çdo detyrë tjetër”, – tha z. Meta, ndërsa u ndal edhe në angazhimin e tij për ngritjen e një sistemi arsimor në vend dhe për ngritjen e disa instituteve.
“Në fushën e arsimit angazhimi i tij është i jashtëzakonshëm, duke nisur që nga lufta kundër analfabetizmit – të mos harrojmë se gati 90 % e Shqipërisë pas çlirimit ishin gati analfabetë – që nga krijimi i tre instituteve të larta, që do të ishin më pas edhe bërthama e krijimit të universitetit, që ai e drejtoi për më shumë se sa një dekadë; që nga kontributet e tij për krijimin e Akademisë së Shkencave, për prarimin e Shkencave Albanologjike edhe deri në përkrahjen për Universitetin e Prishtinës, etj. Është një figurë mjaft e rëndësishme, mjaft kryesore në suksesin më të madh do ta quaja unë të sistemit të kaluar, atë të luftës kundër analfabetizmit dhe zhvillimin e arsimit në vend, që padyshim ka qenë një sistem mjaft serioz. Mjafton të kujtojmë që edhe gjimnazi më periferik në Shqipëri ishte mjaft rezultativ dhe ishte mjaft konkurrues edhe me gjimnazet e Tiranës”, – deklaroi Meta.
Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit nënvizoi se kjo figurë na frymëzon për të bërë akoma më shumë për edukimin dhe arsimimin e fëmijëve dhe të të rinjve.
“Jetojmë në një kohë mjaft sfiduese, në periudhën e globalizimit të ekonomisë së dijes, dhe ku çdo ditë është e rëndësishme që këto dije të zhvillohen, të përditësohen, sepse përndryshe do të mbetemi pas në sfidat që duhet të fitojmë patjetër”, – tha Ilir Meta.
Fjala e plotë e Ilir Metës
Duke qenë se unë jam nga Skrapari, siç është edhe poeti ynë i dashur Xhevahir Spahiu, nuk ka fëmijë Skrapari që nuk rritet duke dëgjuar fjalë dhe vlerësime më të mirat për Kahreman Yllin dhe për gjithë familjen Ylli.
Për patriotizmin e tyre, por sidomos për Kahreman Yllin si një figurë e jashtëzakonshme, e cila ka bërë mjaft, jo thjesht për këtë krahinë apo për qarkun Beratit, por ka bërë mjaft për të nxjerr në pah disa cilësi të veçanta që spikasin tek ai si personalitet, siç ishin mençuria, urtësia, largpamësia dhe mbi të gjitha modestia dhe raporti njerëzor.
Fakti që kur takoj njerëz, të cilët e kanë njohur, bashkëkohës të tij në rrethana të ndryshme dhe bie fjala për të, të gjithë reagojnë me pozitivitet. Tregojnë se çfarë vlerash njerëzore ka lënë pas një personalitet i tillë, përveç veprave dhe kontributeve. Sepse është e lehtë që njerëzit të shprehin një lloj respekti për dikë kur ka një pozitë, por është shumë e rëndësishme ta kujtojnë me respekt, me dashuri, me vlerësim, kur ai nuk e ka këtë pozitë.
Para pak kohësh, u nda nga ne shkrimtari i madh Dritëro Agolli, dhe mjafton të kujtojmë faktin që ndoshta pa kujdesin dhe vëmendjen e Kahreman Yllit, në atë kohë Ministër i Arsimit, Dritëro Agolli mund të ishte bërë një zooteknik shumë i mirë, por kultura jonë kombëtare, letërsia jonë, do të kishte humbur dhe nuk do të kishte pasur një kolos të tillë dhe ne nuk do të kishim një trashëgimi të tillë.
Nuk do të zgjatesha në aspekte të tjera, më mjafton fakti që kur kam lexuar dje kujtimet e një zonje të nderuar, Zëvendës-rektore gjatë 10 viteve që Kahreman Ylli ishte rektor i Universitetit të Tiranës, e cila nuk kishte duruar dot më shumë se një javë ngaqë i shkonin studentët i ankoheshin, kërkonin të ndërronin degët apo probleme të ndryshme, dhe i kishte kërkuar që ta kthente prapë pranë punës shkencore, sepse po humbiste shumë kohë me studentët, me prindërit e tyre.

Dhe ai e këshillon që të vazhdojë aty dhe jo 40 në ditë, por 100 ditë të presësh, edhe të 100 do të vazhdosh ta presësh, siç pret të parin me shumë durim dhe me shumë vëmendje dhe përpiqu që t’i zgjidhës çdo gjë që mund të bësh.
Ky është një personalitet i jashtëzakonshëm që kaloi nga libri te pushka, dhe nga pushka te diplomacia dhe te libri përsëri, ashtu siç e kërkonte koha, por e kërkonte edhe interesi i vendit. Unë do të ndalesha në dy momente.
Faktin që një njeri ikën nga një zonë aq e thellë dhe e prapambetur në një qytet aq të zhvilluar si Lioni, dhe ikën atje për tu kthyer përsëri, për të kontribuar në vendin e tij, jo vetëm kaq, por i bashkohet Luftës Antifashiste ku ka qenë edhe ndër drejtuesit kryesorë, jo vetëm të qarkut të Beratit, por edhe të formacioneve partizane, dhe më pas bën gjithçka që të përfaqësojë sa më ndenjësish vendin e tij në Konferencën e Paqes, në Gjykatën e Hagës për incidentin e kanalit të Korfuzit dhe në çdo detyrë tjetër.
Ndërsa në fushën e arsimit angazhimi i tij është i jashtëzakonshëm, duke nisur që nga lufta kundër analfabetizmit – të mos harrojmë se gati 90 % e Shqipërisë pas çlirimit ishin gati analfabetë – që nga krijimi i tre instituteve të larta, që do të ishin më pas edhe bërthama e krijimit të universitetit, që ai e drejtoi për më shumë se sa një dekadë; që nga kontributet e tij për krijimin e Akademisë së Shkencave, për prarimin e Shkencave Albanologjike edhe deri në përkrahjen për Universitetin e Prishtinës, etj.
Është një figurë mjaft e rëndësishme, mjaft kryesore në suksesin më të madh do ta quaja unë të sistemit të kaluar, atë të luftës kundër analfabetizmit dhe zhvillimin e arsimit në vend, që padyshim ka qenë një sistem mjaft serioz. Mjafton të kujtojmë që edhe gjimnazi më periferik në Shqipëri ishte mjaft rezultativ dhe ishte mjaft konkurrues edhe me gjimnazet e Tiranës.
Ajo që mbetet sot është që kjo figurë na frymëzon për të bërë akoma më shumë për edukimin dhe arsimimin e fëmijëve dhe të rinjve, pasi jetojmë në një kohë mjaft sfiduese, në periudhën e globalizimit të ekonomisë së dijes, dhe ku çdo ditë është e rëndësishme që këto dije të zhvillohen, të përditësohen, sepse përndryshe do të mbetemi pas në sfidat që duhet të fitojmë patjetër.
Një respekt dhe mirënjohje të veçantë meriton familja Ylli, sepse ata ët gjithë vazhdojnë këtë rrugë shumë të mirë dhe të gjithë janë shembuj pozitivë kudo ku jetojnë dhe kudo ku kontribuojnë në shoqërinë tonë.

KOHA JONË SONDAZH


