Ilir Meta, thirrje Prokurorisë: Hetoni sulmet kibernetike në vend!
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka dalë në një konferencë për mediat, ku ka folur për sulmet kibernetike në vend.
“Ridënojmë veprimet armiqësore të nxitura nga qeveria e Iranit kundër sistemit tonë dhe kërkojmë marrjen e masave të menjëhershme për të mbrojtur sistemin dhe rivendosur besimin e qytetarëve. Ishte Rama që mbështeti përmes kapjes së drejtësisë këtë proces kriminal për të përmbysur zgjedhjet e 25 prilli. Në dhjetor u hakëruan të dhënat e administratës dhe bizneseve, dolën të dhënat e qytetarëve, targat e makinave të individëve dhe kompanive. Më pas u hakërua E-Albania dhe të dhënat u nxorën në shitje. Është goditur sistemi i policisë së Shtetit. Është bllokuar sistemi i menaxhimit të çështjeve gjyqësore, është goditur dhe sistemi AMDAS i policisë që përbën trurin në bazën dhe luftën kundër krimit.
Janë hakëruar edhe kamerat e policisë. Ju kujtoj që Rama duke e ditur këtë situatë, pasi është informuar , në 6 maj kërkoi t’u impononte bankave kryerjen e shërbimeve në e-albania gjë që u refuzua prerë nga Banka e Shqipërisë dhe bankat e tjera. Kjo kërkesë e çuditshme e Ramës vinte pas goditjeve të ndodhura.
Prokuroria duhet të bëjë një hetim serioz në lidhje me menaxhimin e të dhënave dhe për veprimet e çdo institucioni që kanë sjellë këtë situatë të papranueshme. Cenimi ka ndodhur në vijimësi dhe për gjithë këtë kohë Edi Rama ka gënjyer dhe vazhdon të gënjejë“, tha Ilir Meta.

