Integrimi ”bashkon” opozitën: Jo propagandë, ja çfarë duhet bërë
Duket se procesi i Integrimit i Shqipërisë, do të bashkojë në qëndrime opozitën e madhe. PD-ja dhe LSI-ja, e sheh me skepticizëm kërkesën e mazhorancës për një tryezë me pjesëmarrjen e kryetarëve të partive për procesin e Integrimit.
E sa i takon situatës, Greqia pak ditë më parë u shpreh zyrtarisht se kishte bërë gabim që kishte mbështetur anëtarësimin pa kusht, ku edhe shtoi kushte të reja për Shqipërinë. Gjithashtu edhe Bullgaria, kërkon nga qeveria, njohjen e komunitet bullgar në vend. Kushte këto që i shtojnë më shumë peshën qeverisë, për të përmbushur premtimin e ministrit Ditmir Bushati, se negociatat hapen qershorin e 2018.
Në një reagim mbi këtë, vetë ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, shprehet se LSI-ja është e gatshme për çdo tryeze që i shërben Integrimit, por shton se në programin qeverisës, faqja e Integrimit u la bosh. “Çfarëdolloj tyreze që të kërkohet për Integrimin patjetër që LSI-ja është e gatshme për tu ulur dhe diskutuar, por besoj se Integrimi në këtë qeveri është vështirë të diskutohet në tyreza, për sa kohë programi i qeverisë e kishte faqen bosh kur diskutohej për Integrimin”.
Në një njëjtën linjë qëndron edhe deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ku thotë se kërkesa e socialistëve është propogandë, pasi tashmë egziston siç argumenton ajo, instrumentat për të diskutuar mbi Integrimin. “Çështja është tek vullneti i mirë që këto instrumenta ti përdorim në të mirë të Integrimit dhe jo në kuadër të demagogjisë dhe propagandës. Është e nevojshme që palët të shprehin vullnetin e tyre të mirë duke marrë masa konkrete dhe duke ndërmarrë reforma konkrete”.
Si ish-ministre e Integrimit, Gjosha thekson se nuk është me rëndësi të merren masa shtesë, por të mos pengohen reformat kyçe. “Reforma në Drejtësi dhe Vettingu që janë kushtet kryesore për celjen e negociatave. Nuk është çështja të krijojmë nisma të reja apo ta bëjmë Integrimin çështje kombëtare e cila është tashmë prioritare. Rëndësia më madhore është që mos pengojmë reformat kyce për integrimin në BE”,-shton deputetja për “Ora News”.
Në mbledhjen e fundit të konferencës së kryetarëve, kreu i deputetëve të PS-së, Taulant Balla rikërkoi një tryezë të nivelit të lartë politik me qëllim realizimin e detyrimeve për Integrimin e Shqipërisë në BE.
KOHA JONË SONDAZH

