Integrimi, “pendohet” Rama! Ja risia në Ministrinë e Jashtme
Mungesa e ministrisë së Integrimit në qeverinë “Rama 2”, shkaktoi jo pak debat. Menjëherë u tha se qeveria e re hedh dorë nga procesi i anëtarësimit. Shqetësimin e ngriti edhe ambasada e BE-së në vendin tonë. E gjitha duket se e vendosi kreun e qeverisë në pozitë, pasi siç shkruan Top Channel, në Presidencë ka mbërritur e firmosur kërkesa e Kryeministrit Rama për dekretimin e Qeverisë së re, me një risi.
Risia është në emërtimin e Ministrisë së Jashtme. Dikasteri i drejtuar nga Ditmir Bushati, do të quhet Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme.
“Rama ka reflektuar në këtë ndryshim, njëfarë shqetësimi që ngjalli mungesa jo vetëm e shkrirjes së Ministrisë së Integrimit Europian, po edhe thjesht mungesa e termit “integrim europian” në përbërjen e kabinetit të ri, shqetësim që u shpreh dhe nga ambasadori i BE në Tiranë”, shkruan TCH.
Emërtimi i ri i Ramës duket sikur thotë se Shqipëria është në Europë, ka një ministri për Europën dhe Integrimi nuk është më një shtojcë ministrore apo semantike, po një aspekt i përkatësisë europiane të Shqipërisë.
KOHA JONË SONDAZH

