Ish-deputetët me peshë, ja emrat që do i mungojnë parlamentit
Kjo legjislaturë e re e parlamentit ka sjellë emra të rinj dhe krejtësisht të panjohur në sallën e Kuvendit, të cilët kanë zëvendësuar figura të njohura dhe me peshë në jetën parlamentare. Emri që do t’i mungojë më shumë parlamentit është ai i ish-kryetares së kuvendit dhe ish-nënkryetares së PD, Jozefina Topalli e cila për herë të parë pas 6 legjislaturash nuk do të jetë më deputet pasi u la nga Basha jashtë listës së kandidatëve për deputet të PD-së.
Arben Imami, deputet në 6 legjislatura, por këtë herë nuk do të jetë i ulur në karriget e rezervuara për opozitën në 4 vitet e ardhshme në parlament.
Genc Ruli, themelues i PD-së dhe deputet në 5 legjislatura, ish-nënkryetari i PD dhe kreu i grupit të PD për 8 vite që ajo ishte në qeverisje të vendit po ashtu nuk u përfshi në listën e deputetëve. Edhe Astrit Patozi, i cili vijon të mbajë qëndrime kritike ndaj kreut Basha, do ti mungojë kuvendit.
Majlinda Bregu, Ministre e Integrimit për afro 6 vite do t’i mungojë sallës në parlament në 4 vitet e ardhshme. Ish-ministri i Financave për 8 vjet Ridvan Bode, i cili ka mbajtur për gjatë të njëjtës periudhe dhe postin e sekretarit të përgjithshëm, do ti mungojë kuvendit.
Parlamentit do t’u mungojë dhe ish-deputeti socialist Ben Blushi deputet nga viti 1997, i cili vitin e fundit themeloi partinë e tij LIBRA. Në sallën e kuvendit do të shohim me në 4 vitet e ardhshme edhe Ilir Meta deputet nga viti 1992, por jo për të njëjtat arsye të emrave të sipërpërmendur, pasi prej muajit korrik ai ka postin më të lartë të shtetit shqiptar, atë të Presidentit të Republikës
KOHA JONË SONDAZH

