Ish-deputeti i PD-së thirrje Bashës: Në listë nuk duhen të jenë…
Marrëveshja mes Kryeministrit Rama dhe kreut të PD-së, Lulzim Basha është vlerësuar edhe nga ish-deputeti i PD, Mark Marku i cili e cilëson pozitive për zgjidhjen e ngërçit politik në vend.
I ftuar në rubrikën “Opinion” në “News24”, Marku u shpreh se kjo marrëveshje duhet të garantojë të gjitha forcat politike pjesëmarrëse në procesin zgjedhor, se vullneti i votuesve nuk do të deformohet.
PD pritet të publikojë listat e kandidatëve dhe situata është e veshur me një trysni sidomos nëse do jenë “deputetët rebelë” në listën e kandidatëve që PD do prezantojë për zgjedhjet e 25 qershorit.
Lidhur me këtë pikë tepër të rëndësishme dhe “provë” për “Republikën e re”, Mark Marku deklaroi se: “Lulzim Basha ndodhet përpara një sfide të madhe, pasi duhet të shfaqet para elektoratit dhe qytetarëve me një alternativë të re, dhe me një listë të re kandidatësh për deputetë”.
Marku pohoi se nëse votuesve u paraqitet një listë kandidatësh e ngjashme me atë të 4 viteve më parë, të cilën ata e rrëzuan me votë, mund të ndodhë që elektorati të zhgënjehet.
“Kreu i PD dhe gjithë demokratët duhet të reflektojnë, dhe të dinë se çfarë mendon opinioni publik dhe elektorati. Përtej aksionit politik, dhe çadrës, që besoj se i ka rritur kredibilitetin PD-së, mendoj se duhet të vendosë se me çfarë alternative të re do të paraqitet në këto zgjedhje. Duhet të reflektojë përgjegjësinë për pushtetin e para 4 viteve. Me përjashtim të një ndryshimi jo shumë të ndjeshëm, në PD janë të gjithë emrat që kanë humbur zgjedhjet para 4 viteve”, u shreh ai.
Thirrja e ish-deputetit, është se nëse kjo listë do t’i paraqitet votuesve, do ishte zhgënjyese. “Nëse para 4 vitesh votuesit e kanë rrëzuar këtë listë, nuk do kishte arsye t’i rivotonte. Për këtë arsye them se duhet të ketë ndryshime. Nga ana tjetër duhet të ruajë ekuilibrat me aleatët”, u shpreh Marku.
KOHA JONË SONDAZH

