Ish-deputeti i PD, Selami Xhepa: Qeveria s’ka bërë asgjë për t’u përballur me dijet e reja
Eksperti i ekonomisë, dhe ish-deputeti demokrat Selami Xhepa komenton mbi mospërputhjen mes fjalimeve dhe veprimit real në drejtim të përmirësimit të gjendjes financiare të shqiptarëve. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, Xhepa prek edhe fjalimin e kryeministrit në “Global Positive Forum”, mbajtur në Paris të premten. Xhepa thekson se ekonomia nuk mund të rritet me fjalë të bukura e citate, të thëna në forumet jashtë vendit, por kërkon angazhim serioz nga ana e qeverisë. Ai shprehet se qeveria nuk ka bërë asnjë për të përmirësuar punësimin cilësorë të shqiptarëve, por tregohen statistika të punësimit në bizneset fasone, ku pagat janë shumë të ulëta. Eksperti e vlerëson korrupsionin e lartë si pengesën më të madhe për rritjen e ekonomisë së vendit.
Zoti Xhepa për ekonominë flitet shumë por megjithatë sërish rezultatet janë të vështira për ti parë. Kreu i qeverisë Rama në një forum ekonomik në Paris foli edhe për ekonominë e dijes. Por, sa bëhet në aspektin praktik për përmirësimin e gjendjes financiare të shqiptarëve?
Ekonomia e dijes nuk është një tezë e sotme. Ekonomia që prej vitit 2000 ka hyrë në një fazë vlerësimi për rolin e dijes në rritjen ekonomike. Ky është shqetësimi më i madh dhe global e ndoshta një nga rreziqet më të mëdha për shoqëritë, sidomos si shoqëria jonë, e cila ka probleme serioze sa i përket përditësimit të dijeve të reja dhe ndërkohë që teknologjitë vijnë gjithnjë e më të sofistikuara. Ajo që tha kryeministri qëndron si tezë por fakti është që qeveria nuk ka bërë asgjë për t’u përballur me këtë lloj sfide. Ekonomia kërkon dijen dhe ekonomia e dijes është ekonomia që ne duam të ndërtojmë por nga ana tjetër ne nuk kemi një treg real, funksional të dijes sepse studimet tregojnë që sistemi i arsimit të lartë dhe i edukimit në përgjithësi në vendet e Ballkanit, por në veçanti në Shqipëri ka probleme thelbësore, ka probleme serioze të mënyrës se si funksion dhe dijeve që transmeton. Ky është një shqetësim që duhet të matet realisht, jo thjesht për propagandë, siç është fjala të supozojmë ligjin ose reformën për arsimin e lartë, një reformë e cila përfundoi me një ndryshim ligjor por në thelb asgjë nuk ka ndryshuar sepse tregu funksionon mbi të njëjtat principe si edhe më përpara. Asnjë nuk ka ndryshuar nga ai që ka qenë shqetësimi serioz që është cilësia e edukimit në Shqipëri. Pra, në vend që të fokusohemi në atë që përbën prioritetin, që mund të bëjë ndryshimin e madh, ne vazhdojmë që të merremi kryesisht me slogane politike, të natyrës së citateve, komenteve e fjalëve të bukura por jo të veprimit serioz.
A reflektohen ato fjalë në takimet jashtë vendit me veprime konkrete sa i përket përmirësimit të gjendjes financiare të shqiptarëve?
Fakti është që, siç treguan statistikat, të ardhurat e shqiptarëve gjatë viteve të fundit kanë rënë në terma real. Ekonomia duhet thënë që vazhdon prej kohësh të ketë një rritje shumë të dobët, gjendja e punësimit në Shqipëri është ajo që e dinë të gjithë dhe pavarësisht se statistikat tregojnë përmirësim apo rënie, në të vërtetë numri i vendeve të punës të reja është shumë problematik. Punësimi vazhdon që të mbetet një problem serioz sa i takon cilësisë së punësimit. Numri i vendeve të punës në Shqipëri ose punësimi vazhdon të dominohet nga puna e paguar shumë keq, siç është punësimi në fasoneri. Treguesi më sintetik dhe rezultati më sintetik i saj është largimi ose dëshira e përhershme dhe vullneti i shqiptarëve për të ikur nga vendi. Jo vetëm që emigracioni ka qenë çështje serioze por vazhdon që të mbetet potencialisht një aspiratë e përhershme të shqiptarëve për tu larguar nga Shqipëria dhe për arritur mirëqenie jashtë vendit. Pikërisht, këto janë shenjat se sa e suksesshme mund të ketë qenë një politikë qeveritare. Qytetarët nuk largohen kur politikat janë të suksesshme dhe kur ka mirëqenie, kur ka shpresë. Qytetarët largohen kur kanë mungesë shprese dhe besimi. Ky është treguesi më i qartë që flet.
Cilat janë problematikat e ekonomisë shqiptare apo vendimmarrjes qeveritare që pengon zhvillimin e ekonomisë?
Mungon angazhimi për t’u marrë me gjëra serioze. Pra, nëse fjalimet bazohen në fjalë të mëdha në të vërtetë veprimi është inekzistent. Ne nuk shikojmë asnjë herë politika të mirëfillta që të japin rezultatet e duhura, në ato që njerëzit të shpresojnë që duhet të realizojë qeveria. Kështu që ka mos përputhje për shkak të mungesës së gatishmërisë për të vepruar mbi të njëjta principe mbi të cilat edhe flitet. Korrupsioni do të thoja është problemi më madhor dhe arsyeja pse në vend nuk vijnë investime të huaja, pse Shqipëria në këto katër vite nuk ka parë asnjë investitor të rëndësishëm, që të këtë një projekt serioz. Korrupsioni ka qenë gangrena që e ka mbajtur të mbërthyer ekonominë në këtë gjendje të moszhvillimit të vetë. Është i atribuuar edhe problemi i mungesës së shtetit ligjor.
KOHA JONË SONDAZH

