Ish-Kryeministri Berisha me Preshevarët: Kosova, asnjë pëllëmbë tokë Serbisë

Këto ditë ish-kryeministri Sali Berisha priti në një takim delegacionin e Partisë Demokratike Shqiptare të Luginës së Preshevës, të kryesuar nga Ragmi Mustafa. Në këtë takim Mustafa e njohu Berishën me gjendjen e rëndë të shqiptarëve në komunat e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjes, shkeljen e lirive dhe të drejtave të tyre njerëzore, politikat e reja albanofobe të autoriteteve të Beogradit që synojnë çrrenjosjen e historisë së lavdishme të shqiptarëve të Luginës dhe kulturës së tyre. Për këto qëllime, u shpreh Mustafa, Beogradi ka bërë gati ligjin e ri albanofob serb për heqjen e monumenteve dhe përmendorëve historike të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe në Pazarin e Ri në kuadrin e serbizimit total dhe asimilimit të minoriteteve.

Ai theksoi se PDSH kërkon domosdoshmërinë e njohjes të të drejtave që Serbia kërkon për asosacionin e komunave serbe në Kosovë edhe për asosacionin e komunave shqiptare të Luginës së Preshevës.

Nga ana e tij Berisha theksoi se shqiptarët në Luginën e Preshevës janë sot minoriteti më i shtypur dhe me të drejtat më të mohuara në Europë nga autoritetet serbe, i përjashtuar nga investimet në infrastrukturë dhe në fushat e tjera. Serbia, theksoi Berisha, kërkon super të1 drejta për serbet në Kosovë dhe mohon, në kundërshtim me marrëveshjet ndërkombëtare që ka firmosur, të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës por edhe në Pazarin e Ri dhe kudo në territorin e saj.

Swiss Digital Desktop Reklama

Berisha vlerësoi se autoritetet shqiptare të Luginës zbatuan me seriozitet marrëveshjen e Konçulit kurse Beogradi nuk zbatoi por zgjodhi të dhunojë këtë marreveshje. Ish kryeministri Berisha u shpreh se është i zhgënjyer edhe me qendrimet e auroriteteve të Tiranës dhe Prishtinës ndaj problemeve të mëdha politike, ekonomike, infrastrukturore të banorëve të komunave të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjes.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Të dy qeveritë e nisën ndihmën me një shumë qesharake 100 mijë euro dhe në vend që të rrisnin ndjeshëm nga viti në vit këtë shumë, e ndërprenë fare. Në shtator, ne do kërkojmë që buxhetit t’i shtohet zëri për Komunat e Luginës”, theksoi Berisha.

Ai u shpreh se shqiptarët e komunave të Luginës kanë nevojë për garantimin e të drejtave të tyre në përputhje me konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, investime dhe zhvillim dhe jo që të përdoren për interesa të Serbisë për tregti territorësh.”Eshtë fakt i pamohueshëm se Serbia gjithnjë ka dashur t’u përdori si plaçkë tregu dhe për shkëmbim territoresh. Personalisht unë kam qenë dhe jam gjithnjë për paprekeshmërinë e kufijve të Kosovës dhe çdo lloj coptimi, ndarje apo tregtie me territorin e saj dhe kundër çdo diskutimi për këto çështje. Mendoj se të njohësh të drejtën Serbisë, fuqisë së humbur nga lufta, të paraqesë pretendime territoriale ndaj Kosovës është gabim i madh dhe historik, është në një farë mënyrë një zhbërje e qellimit dhe rezultatit të luftës dhe kapitullimit të Serbisë. Por kjo është edhe një zhbërje e Kosovës të çliruar në vitin 1999, të njohur në dokumentat ndërkombëtare dhe nga mbi 115 shtete përfshi ketu 95% të vendeve të lira të botes”, u shpreh Berisha.

Berisha theksoi se Republika e Kosovës është shpallur dhe njohur si shtet i pavarur me kufijtë e saj aktual ndërkombëtar ndaj Serbia nuk ka asnjë të drejtë dhe nuk duhet t’i njihet asnjë e drejtë për të pretenduar qoftë edhe një pëllëmbë toke të territorit të Kosovës.

Duke theksuar se Kosova nuk i ka asnjë borxh Serbisë dhe se ajo nuk ka asnjë pëllëmb toke të territorit të saj pasi e kundërta është e vërtetë, Berisha u shpreh se të pranosh idenë e ndarjes së Kosovës në një mënyrë apo në një tjetër mbështet idenë dhe përpjekjen e Beogradit për Serbinë e Madhe në kurriz të Kosovës. Në rajonin, tha ai, tone zona me tre komuna minoritare si Mitrovica janë disa dhe hapja e një precedenti që kërkojnë serbët në Mitrovicë do minonte paqen dhe stabilitetin në mbarë rajonin.

“Minoriteti serb në Kosovë, në përputhje me Dokumentin e Ahtsarit është shpallur superminoritet. Atij i janë dhënë dhe garantuar të drejta që nuk i ka asnjë minoritet në Europë, ndaj, theksoi  Berisha, pretendimi i Serbisë për tre Komunat e Mitrovicës nuk ka të bëjë aspak me garantimin e lirive dhe të drejtave të serbëve por ka të bëjë vetëm me vazhdimin e ides së serbomadhisë dhe është pretendim territorial ndaj një shteti sovran të pavarur me qëllim zhbërjen e Kosovës!”

Ai theksoi se nuk ka asnjë dallim edhe në rastin e “shkëmbimit” të territoreve pasi kanë qenë serbët ata që kanë kërkuar gjithnjë dhe me insistim patologjik, edhe para shpalljes së pavaësisë së Republikës së Kosovës, ndarjen apo tregtinë me territoret e saj. Ai u shpreh se e vërteta është se në këtë rast Serbia kërkon të bëjë tregti, të përdorë si plaçkë tregu territoret shqiptare pasi ajo është e shqetësuar nga zgjimi gjithnjë e më i madh i vetëdijes kombëtare tek banorët shqiptar të Pazarit të Ri.

Për të gjitha keto Berisha u shpreh se është kategorikisht kundër dhe se ka bindje se këto përpjekje destabilizuese të Serbisë do të dështojnë. Ai theksoi se çdo marrëveshje dhe çdo zgjidhje duhet të jetë një marrëveshje midis dy vendeve të pavarura që njohin dhe respektojnë integritetin territorial të njëri – tjetrit.

“Ju nuk duhet në asnjë mënyrë të bëheni shkak për këto pazare. Lugina duhet të jetë Luginë paqeje, bastion i pamposhtur i vlerave, botës shqiptare dhe europiane, me qytetarë të barabartë para ligjit dhe në rast se Serbia nuk pranon këto parime vetkuptohet që ajo nuk kërkon marrëveshje por konfliktualitet dhe destabilizim”, theksoi ai.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?