Ish-ministri Arben Ahmetaj aksidentohet në Maqedoni
Ish ministri i Financave Arben Ahmetaj është përfshirë në një aksident në Maqedoni, kur ka qenë duke udhëtuar në rrugën Tabanoc-Kumanovë.
Nga përplasja me një autobus janë plagosur 14 persona. Arben Ahmetaj udhëtonte me mjetin e tij Range Rover. Ngjarja ndodhi pasditën e sotme në rrugën Tabanoc – Kumanovë.
Në aksident kanë marrë pjesë një autobus dhe dy vetura. Nga Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë konfirmohet se në aksident u përfshi edhe Arben Ahmetaj, që u dërgua për mjekim në spitalin e Kumnanovës.
Nga aksidenti, dy persona me lëndime më të rënda trupore janë transferuar në klinikën e Shkupit, ndërsa të tjerët janë hospitalizuar në spitalet e Kumanovës. Nga MPB ende nuk ka detaje se si është shkaktuar aksidenti, shkruan “Zhurnal”.

Mësohet se ish Ministri i Financave ka qenë pasagjer në mjetin tip Range Rover. Mjeti ka rrëshqitur në rrugë dhe është përplasur me autobuzin, për shkak të lagështirës në rrugë. Burime nga spitali i Kumanovës bëjnë me dije se Ahmetaj nuk ka asnjë dëmtim serioz. Ai do të qëndrojë sot në spital për shkak të protokollit dhe do të mbahet nën mbikqyrjen e mjekëve.
Aksidenti duket se nuk ka pasur pasoja për Ahmetajn që ka kryer një skander gjatë mbrëmjes dhe pritet që nesër të lërë spitalin.
Gjatë mbrëmjes ai u vizitua edhe nga Agim Nuhiu, zv.ministri i Brendshëm i Maqedonisë, që konfirmoi gjëndjen e mirë shëndetësore të Ahmetajt me një status në Facebook.
“Falë Zotit, vëllai yne, ish ministri i Financave i Shqipërisë z. Arben Ahmetaj iu shmang pasojave dhe lëndimeve të rënda trupore nga një aksident automobilistik të pësuar në orët e pasditës në afërsi të Kumanovës. Edhe personat e tjerë të aksidentuar kanë pësuar lëndime trupore dhe janë jashtë rrezikut për jetë!
Uroj shërim të shpejtë për të gjithë të aksidentuarit!” shkruan Nuhiu.


KOHA JONË SONDAZH

