Këshilltari i Metës: Presidenca, i vetmi institucion kushtetues që ka marrë përsipër zgjidhjen e krizës
Bledar Dervishaj, Këshilltar ligjor i Presidentit, Ilir Meta, i pranishëm në rubrikën “Opinion” në News 24 foli për aktualitetin politik dhe rolin që po luan kreu i shtetit për tejkalimin e krizës.
Këshilltari Bledar Dervishaj shtoi se Meta është i shqetësuar dhe kërkon me ngulm për tejkalimin e ngërçit mes palëve dhe ndërtimin e një dialogu që i shërben të ardhmes dhe stabilitetit të vendit. Ai foli edhe për rezolutën e Kuvendit të ditës së djeshme, i cili e konsideroi veprimin e kreut të shtetit për zhdekretimin e zgjedhjeve si një akt nul pa pasoja juridike.
“Parlamenti në rezolutën e tij mbështet KQZ, po ajo është thjesht një rezolutë, por nuk ka një shpjegim për arsyet që kanë detyruar presidentin për shfuqizimin e datës. Presidenti është i shqetësuar dhe kërkon zgjidhjen e saj sa më shpejt. Ka filluar një proces dialogu. Presidenti i Republikës ka ftuar për dialog të gjitha forcat politike dhe jo në këto momente, por ka kërkuar dialog prej kohësh. Që nga deklarata e parë nga Mynihu, kur tha se maxhoranca duhet të bëjë dy hapa pas, opozita një. Presidenti e tha vetë se ka aktorë të përgjegjshëm që e duan zgjidhjen e kësaj krize. Është një axhendë e ndërtuar nga presidenti dhe po implementohet prej tij. Partitë kryesore janë ftuar”,- tha Dervishaj.
I pyetur nëse këto bisedime mund të jenë spirale për të dalë nga kriza, Dervishaj u përgjigj: “Gjykata Kushtetuese duhet të ishte mirë të ishte pa asnjë ndalesë, pasi do t’i shërbente këtij momenti dhe momenteve të tjera. Në këto moment Presidenti i Republikës është i vetmi institucion kushtetues, që ka marrë përgjegjësit për zgjidhjen e krizës dhe ne kemi besim se do të zgjidhet. Presidenti e ka bërë të qartë se data e re do të përcaktohet me dekret dhe për këtë ka nisur një proces konsultimi. Ky proces ende nuk ka përfunduar. Unë garantoj këtu që presidenti i Republikës është në detyrë dhe do të ushtrojë kompetencat që i jep kushtetuta. Veprimtaria e mbledhjes së të dhënave nuk ka rënë në sy. Ne mbajmë kontakte me institucionet qendrore, por edhe me KQZ”,-tha Bledar Dervishaj.
KOHA JONË SONDAZH

