Këshilltarja e LSI, Elona Guri: Të ndërpriten lidhjet e paligjshme të ujit të deputetit të PS
Këshilltarët e LSI-së në Bashkinë e Tiranës kanë kundërshtuar projekt-vendimin për rritjen e çmimit të ujit për gjithë qytetarët e Tiranës. Në kundërshtimet e shprehura në dëgjesën me Erion Veliaj, përfaqësuesit e LSI-së deklaruan se Bashkia duhet të marrë masa për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme dhe bizneseve dhe më pas të flitet për ndryshim të çmimit.
Këshilltarja e LSI-së, Elona Guri përmendi disa raste konkrete të abuzimeve me ujin e pijshëm nga zyrtarë të PS-së dhe biznese. Ajo u shpreh se në zonën e Dajtit, deputeti Xhemal Qefalia është në shkelje të hapur të ligjit. “Ne kemi përmendur në mbledhjen me kreun e Bashkisë së Tiranës emra konkret për raste abuzimesh, sepse nga banorët e zonave të ndryshme kemi ankesa që ekzistojnë lidhje të paligjshme. Si për shembull rasti i Xhemal Qefalisë, i cili në bizneset e veta ka lidhje të paligjshme. Qytetarët janë ankuar dhe në i bëmë thirrje kryetarit të Bashkisë dhe Drejtorit të Ujësjellësit që t’i verifikojnë dhe të bëjnë ndërprerjen e këtyre linjave”,- u shpreh Elona Guri.
Gjithashtu, Këshilltarja e LSI-së deklaroi se vendimi për rritjen e çmimit të ujit do të miratohet vetëm nëse vendoset kompensimi i familjeve në nevojë. Guri u shpreh se duhen marrë masa ekstreme për abuzuesit me ujin dhe më pas të diskutohet për çështje që kanë të bëjnë me çmimin.

Ndërsa kreu i Këshilltarëve të LSI, Endrit Braimllari sqaroi me detaje sesi duhet të jetë skema e kompensimit për familjen në nevojë.
“LSI kërkon çmim të ulët për të varfërit dhe ndëshkim për oligarkët. Kërkojmë përfshirjen në një skemë rimbursimi të familjeve që marrin ndihmë ekonomike dhe janë në nevojë. Këtë duhet ta bëjmë sepse është e rëndësishme që familjet e varfëra në Tiranë të kenë tarifim më të ulët të ujit të pijshëm sepse nuk mund të krahasohen me problemet e tyre që kanë. Ne jemi që Tirana të këtë 24 orë ujë, e dime shumë mirë që çdo investim kërkon masa, por masa kryesore duhet të fillojë nga ulja e informalitetit me qëllim që ne të kemi mundësinë e pasjes së ujit 24 orë. Ajo që ne kërkojmë është diferencimi i çmimeve për biznese të ndryshme. Sistemi i diferencuar i tarifimit të ujit në bazë të veprimtarisë që zhvillojnë do të kenë tarifim të ndryshë. Psh bizneset e shportës mund të kenë tarifim të ndryshëm nga bizneset e tjera dhe kjo besoj që kërkon bashkëpunim me administratën e bashkisë por edhe me UKT me qëllim që ne të gjejmë nje element të përbashkët”,- u shpreh Braimllari.
KOHA JONË SONDAZH

