Koloneli i luftës në krye të Ministrisë së Brendshme. U shkarkua nga Kodheli 3 vjet më parë
Dritan Demiraj është emri i ministri të ri të Brendshëm. Ai është propozuar nga Lulzim Basha dhe është pranuar nga Edi Rama për të marrë detyrën e drejtimit të forcave të rendit.
Demiraj është një emër i njohur në publik, si Kolonel i Batalionit të Operacioneve Speciale në ushtri, batalion i cili cilësohet si elita e Forcave të Armatosura Shqiptare.
Demiraj është ndër ushtarakët e paktë që ka marrë dekorata nga SHBA për kontributin në Luftën e Irakut dhe Afganistanit.
Gjithashtu, Demiraj bën pjesë në ushtarakët shqiptarë që ka marrë pjesë në luftime në terren në Irak dhe Afganistan. Cilësohet si një nga ushtarakët më të përgatitur për sigurinë dhe mbrojtjen. Demiraj ka 24 medalje në ushtri dhe 27 në sport. Komandant i Forcave Speciale të Ushtrisë, aq sa njihet si “babai”, udhëheqësi i parë luftarak në terren dhe trajnues i misioneve “Eagle” (nga 1-7), pedagog, autor i shumë librave, manualeve e kumtesave deri në kategorinë akademike të kërkimit shkencor.
Pas viti 2013 ai u largua nga Ministria e Mbrojtjes pas konflikteve me Ministren Mimi Kodheli. Ai është liruar nga detyra në dhjetor të vitit 2014, pas 31 vitesh kontribut në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Motivacioni i lirimit nga detyra kur ministrinë e Mbrojtjes e mori Mimi Kodheli, ishte “largim jashtë shtetit pa leje”, çka publikisht është mohuar nga ish komandanti Demiraj.
KOHA JONË SONDAZH

