Kosta Barka: Shqiptarët në emigracion, Rama në drejtim të paditur!

Nga Kosta Barka (Ish-ministër)
Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Eurostat, Shqipëria e vogël, me vetëm 2.85 milionë banorë, renditet e para në botë për lejet e qëndrimit në shtetet e Bashkimit Evropian, në raport me popullsinë e saj. Deri këtu na ka çuar arbitrariteti egoist i kësaj shumice qeverisëse të vetëquajtur “Rilindje”. Kjo është një katastrofë kombëtare e pa provuar kurrë më parë, e cila ka të bëjë në radhë të parë me cilësinë e institucioneve politike të instaluara në vend, që kanë prodhuar çrregullime të rënda në ekonomi dhe në jetën sociale. 8 vjet më parë Edi Rama, pa asnjë program apo ide udhërrëfyese elektorale, mori mbi vete përgjegjësi politike e shoqërore për të drejtuar ekzekutivin, por tashmë mund të themi pa hezitim se ai rezultoi politikani dhe kryeministri më i papërgjegjshëm në historinë e kombit shqiptar. Ai kurrë nuk mori rolin e një kryeministri për të administruar dhe qeverisur demokratikisht çështjet e shumta të shoqërisë shqiptare. Zoti Rama nuk përmbushi në asnjë rast përgjegjësitë politike e kushtetuese, nuk ndërtoi kurrë një kabinet profesionistësh dhe administratorësh qeveritarë për të qeverisur hallet pa fund të vendit. Vendimmarrjet në vendët demokratike kalojnë përmes një debati të madh publik. Por kryeministri ynë i shmangu në çdo rast këto debate e mjete proceduriale, shpërfilli vërejtjet dhe sugjerimet e grupeve të interesit dhe të opozitës, duke e zhytur vendin në anarki të plotë dhe duke nxitur periodikisht shpopullimin e vendit. Shqiptarët në emigracion, Rama në drejtim të paditur! Si pasojë e centarlizimit të pushtetit ne nuk kemi sot një klasë tregtarësh, sipërmarrësish ose kapitalistësh të aftë për të marrë vendime ekonomike dhe për t’i përdorur ato në mënyrë konkurruese. Për të ruajtur stauskuonë e krimit dhe oligarkizmit kjo lloj qeverisjeje prodhoi një papajtueshmëri të mbrapshtë midis kritereve politike dhe atyre ekonomike të organizimit dhe kostot kanë qenë të rënda për ekonominë dhe mirëqënien sociale. Një qeverisje përcaktohet nga objektivat që i vë vetes dhe mjetet nëpërmjet të cilave do t’i arrijë ato, por zoti Rama e katandisi shtetin në një autarki, duke bërë që Shqipërisë t’i ikë për të disatën herë ora e integrimit. Për paradoks, përgjegjësinë e vonesave dhe ndërlikimeve kryeministri ynë kërkon t’ia faturojë Evropës dhe vendeve më të rëndësishme të BE, me të cilat nuk i kursen as polemikat, siç ka ndodhur së fundi me Francën apo Gjermaninë. Pavendosmëria dhe pabesia është qëndrimi më i keq në politikë. Ky njeri, pa pasur asnjë ide udhërrëfyese, i bie fyellit e kërkon të marrë një mandat të tretë. Sa kohë të drejtojnë njerëz të tillë emigracioni masiv do të lulëzojë, pavarësisht fantazive dhe lajthitjeve pa fre të politikës. Ndaj vendi ka nevojë për rrotacion politik, për një ekip të ri në pushtet, për një ansambël garancish dhe normash rregulluese që t’i mbyllin shtegun ekskluzivitetit egoist të Edi Ramës dhe për t’i dhënë fund kësaj situate që mbjell vetëm shqetësime e lëndime kombëtare. Shqipëria është në prag të skamjes, varfërisë ekstreme, grabitjes dhe poshtërimit, prej të cilave çdo demokraci rrezikon të rrënohet. Në kushtet kur institucionet demokratike po shkërmoqen nën peshën e varfërisë, kur liritë nuk kanë më asnjë kuptim përtej një paragu të caktuar të varfërisë, qytetarët po shohin rrugën e emigracionit si zgjidhjen më të mirë. Partia Demokratike, me kryetarin e saj Lulzim Basha, si një politikan koherent dhe i përgjegjshëm, jep shpresë për një lulëzim të ri të energjive kombëtare. Tashmë PD dhe opozita e bashkuar është sprovuar në një opozicion politik shumë të ashpër me këtë sistem kleptokratik që favorizon interesat e oligarkëve, dhënien e lejeve për monopolet, duke e shndërruar sistemin ekonomik në një makinë pa jetë dhe duke e shndërruar shoqërinë shqiptare në një shoqëri që është e paftë për të riprodhuar vetveten dhe për t’i dhënë trajtë të ardhmes së vet. Opozita ka receta të qarta për rritjen ekonomike, luftën ndaj monopoleve, shanset për të rinjtë dhe profesionistët. Ajo ka nisur rrugën drejt pushtetit me ballafqim idesh, me shpirt kritik dhe garë të ndershme, që janë aleatët më të mirë të demokracisë dhe e bëjnë atë automatikisht fituese në zgjedhjet e 25 prillit.
Rama nuk mund t’i mbajë shqiptarët si në një “kopësht zoologjik”. Kjo është arsyeja substanciale e ikjeve masive.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?