KQZ: Do të prodhohen 3.5 milionë fletë votimi për 3.48 milionë votues në 18 qershor

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendos nesër për nisjen e prodhimit të fletëve të votimit

Nga: Herion Mesi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u mblodh paraditen e sotme ku miratoi përmbajtjen e fletës së votimit që do të përdoret për zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. Ajo që bie në sy në këtë garë është se fleta e votimit e 18 qershorit do të jetë më e vogla në historinë e zgjedhjeve shqiptare, pasi në të do të ketë të renditura vetëm 15 parti që janë regjistruar tashmë në KQZ, ndërkohë që rekordet e mëparshme kanë shënuar mbi 65 subjekte politike garuese në zgjedhje.

Swiss Digital Desktop Reklama

Prodhimi i fletëve të votimit do të nisë nesër, në datën 9 maj, që është afati limit që PS-ja e PD-ja të gjejnë një zgjidhje për krizën politike, e cila mund të fusë opozitën në zgjedhje. Por edhe pse palët vijojnë të jenë larg një marrëveshjeje mes tyre KQZ-ja është i detyruar të vijojë punën, ku nesër ajo të do të miratojë dhe projektvendimin për “miratimin e sasisë së fletëve të votimit që do të prodhohen për çdo qendër votimi,  për zgjedhjet e kuvendit të datës 18 qershor 2017”. Dhe në bazë të relacionit bashkëngjitur projektvendimit në fjalë, administrata e KQZ-së bën me dije se për 18 qershorin do të prodhohen gjithsej 3.515.043 fletë votimi, ndërsa numri i votuesve me të drejtë vote të evidentuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile është 3.448.711 zgjedhës.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Nga përpunimi i të dhënave, rezulton se në rang vendi janë gjithsej 5459 QV, me gjithsej 3.448.711 zgjedhës. Bazuar në urdhërimet e pikës 4, të nenit 97, të Kodit Zgjedhor, për zgjedhjet për Kuvendin të datës 18.06.2017,  sasia e fletëve të votimit që duhet të prodhohet duke shtuar 2-përqindeshin mbi numrin e zgjedhësve, është 3.515.043 fletë votimi gjithsej. Për këto arsye Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, mbështetur në nenin 23, pika 1, germa “a”, neni 97, pika 4, dhe neni 99, pika 1, germa “a”, të ligjit nr.10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, vendosi :

  1. Të miratojë sasinë e fletëve të votimit që do të prodhohen për çdo qendër votimi për Zgjedhjet për Kuvendin të datës 18.06.2017, sipas Lidhjes 1 bashkëlidhur.
  2. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
  3. Kundёr këtij vendimi mund tё bёhet ankim nё Kolegjin Zgjedhor, pranё Gjykatës sё Apelit Tiranё, brenda 5 (pesë) ditёve nga shpallja e kёtij vendimi”- thuhet në relacionin e KQZ-së.

Prodhimi i fletëve të votimit

Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve, fleta e votimit do të shtypet në Greqi.

Më herët ajo printohej në Slloveni, Itali dhe vetëm 2 herë në Shqipëri.

Fleta do të ketë 5 elemente sigurie dhe do të prodhohet nga kompania greke “Inform Lykos”.

Po ashtu mësohet se kosto e prodhimit për secilën fletë do të jetë 12.3 lekë pa TVSH, ndërsa për të verbërit që ka disa specifika shtesë, do të jetë 270 pa TVSH.

Shpenzimi në total që duhet të paguajë komisioni qendror i zgjedhjeve për këto fletë votimi përllogaritet diku te 250 mijë euro.

Në faqen e saj në internet kompania greke “Inform Lykos” sqaron se ka mbi 120 vjet që operon ne treg dhe ofron shërbimet e saj për kompani në mbi 50 shtete.

“Inform Lykos” prodhon kartmonedhën euro për Greqinë si dhe karta bankare për shumë shtete të tjera.

Pra dokumenta që kërkojnë elementë të lartë sigurie.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?