Kryemadhi: Bashkëpunimi me Edi Ramën është tradhti kombëtare, ai neverit vendin e tij
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka hedhur poshtë çdo mundësi bashkëpunimi mes opozitës dhe Edi Ramës. Në një intervistë për ABC News, Kryemadhi tha se “bashkëpunimi me Edi Ramën është tradhti kombëtare, ai neverit vendin e tij”.
Gazetari: Znj. Kryemadhi për tu rikthyer edhe njëherë tek bashkëpunimi që ju keni në koalicion, ka një paragjykim në fakt pasi ju dhe aleati juaj kryesor Partia Demokratike nuk jeni parë të dilni bashkë në takimet elektorale që secila prej këtyre dy forcave të mëdha mund ta shohë si një mundësi bashkëpunimi me Edi Ramën nesër. A ka një JO të prerë nga LSI për një bashkëpunim të mundshëm nëse do të duhen votat për formimin e qeverisë?
Kryemadhi: Bashkëpunimi i LSI me Edi Ramën është tradhti kombëtare. Të bashkëpunosh me një njeri, i cili ndien neveri për vendin e tij, për një njeri që ndien urrejtje për popullin e tij, për një njeri i cili i ngre zgupthi qytetarët e vet për t’i larguar nga Shqipëria, normal që çdo bashkëpunim me Edi Ramën do të ishte tradhti kombëtare. Përsa i përket angazhimit dhe takimeve tona, duhet të kemi një gjë parasysh që qoftë PD, qoftë LSI janë dy grupime të ndryshme, pavarësisht se për herë të parë në historinë e tranzicionit të 30 viteve, ne kemi një koalicion parazgjedhor midis Partisë Demokratike dhe një partie të majtë, që është LSI, e cila nuk është më thjesht një strukturë me katër deputetë, por është një strukturë e cila është realitet politik dhe mund t’ju them që është edhe shumë më shumë se një forcë politike. Është një energji e pashtershme të rinjsh dhe të rejash, të cilët janë e ardhmja e këtij vendi, të cilët kanë dëshirën, ëndrrën dhe shpresën për ta ndërtuar këtë vend. Beteja e 25 prillit nuk është betejë figurash. Nuk është beteja ku njerëzit kanë nevojë të shikojnë Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin në televizor.
Beteja e 25 prillit është një betejë për qytetarët. Nëse ne do të fokusohemi tek imazhi personal i dy liderëve të dy partive kryesore opozitare, do të ishte gabimi ynë më i madh dhe fatal. Nëse ne nuk fokusohemi tek zgjidhja e problemeve, nëse ne nuk fokusohemi tek angazhimi ynë i drejtpërdrejtë me qytetarët për të mbajtur fjalën dhe për t’u kthyer atyre shpresën dhe besimin, atëherë kjo është një betejë e humbur e jona. Por, nuk ka rrugë tjetër. Duam apo nuk duam ne, qytetarët do të votojnë ndryshimin. Çdo lider politik duhet të bëhet njësh me qytetarët, duhet të marrë përgjegjësitë e tij përpara tyre për të mbajtur fjalën dhe për të treguar se në Shqipëri vërtet ka ardhur një mentalitet i ri, në Shqipëri do të vijë një strukturë tërësisht e re dhe një klasë e re politike, që do të sjellë mendim dhe mentalitet të ri.
Ne dje ishim në Shkodër dhe në Malësi të Madhe, për hir të së vërtetës një pritje fantastike, duke pasur parasysh se çfarë përfaqësojnë këto dy zona dhe kandidate e jona është një vajzë, e cila studion në Londër për Menaxhim dhe Ekonomi, Melisa, dhe e thashë se fjalori im ndihet mjaft i varfër në krahasim me atë se çfarë ajo artikuloi atje, sepse dëshira, angazhimi dhe pasioni që ajo kishte për vendin e saj ishte me të vërtetë shumë shpresëdhënës. Këto njerëz që sot janë jashtë, studiojnë jashtë, apo kanë mbaruar studimet e tyre jashtë vendit dhe nuk duan të kthehem më këtu, ne duhet ti kthejmë. Ashtu siç kemi Saimir Kumrinë këtu në Gramsh, i cili ka mbaruar studimet jashtë shtetit, në Itali, për Shkenca Juridike dhe është kthyer. Ashtu siç kemi Avokat Dylber Dervishin në Belsh, ku e shikoje Belshin nga ana natyrore, ishte si një parajsë dhe ndërkohë që ata njerëz që jetonin atje ishin dhe janë njerëzit më të varfër në Shqipëri. Pra, ka gjëra kaq të bukura që mund t’ua ofrojmë jo vetëm shqiptarëve, por edhe turistëve të huaj. Nuk mund tu ofrojmë vetëm varfëri , por mund tu ofrojmë një mrekulli, mund tu ofrojmë një mikpritje për turizmin, agropërpunimin, agroturizmin, prodhimet bio, pra gjëra të mrekullueshme që janë prezente, por që ne nuk i kemi shfrytëzuar kurrë.
Gazetari: Përtej asaj që shohim, a ka një komunikim të vazhdueshëm midis Monika Kryemadhit dhe Lulzim Bashës përgjatë ditës përsa i përket mënyrës se si organizohen takimet elektorale?
Kryemadhi: Patjetër që jemi në kontakt të përditshëm, patjetër që jemi në rakordim të përditshëm përsa i përket angazhimit të fushatës sonë, komisionerëve, vëzhguesve dhe të organizimeve të tjera. Të jeni të bindur që në çdo moment, jo vetëm stafi i Monikës me stafin e zotit Basha, por edhe ne vetë personalisht. Vasili është ai që mban më shumë marrëdhëniet me PD, për shkak sepse është edhe në listën e Tiranës është edhe më i fokusuar aty. Ndërkohë ne jemi të dy në lëvizje. Ajo që është më e rëndësishme, mos mendoni që fati i Edi Ramës varet nga humori i Monikës dhe i Lul Bashës. Fati i Edi Ramës varet nga vota e qytetarëve, prandaj secili nga ne duhet të çojmë qytetarët në kutinë e votimit, se nuk i bëhet vonë atij që është pa punë, që nuk ka mundësi të ushqejë fëmijën e tij, se si e ka humorin, Monika me Lulzim Bashën. Ai do punë, do tapinë e tokës, do të ketë fëmijë në shtëpinë e vet, nuk do të sorollatet rrugëve për të marrë një leje për të ndërtuar çatinë e shtëpisë që po i rrëzohet. Prandaj, mos harxhoni shumë kohë me të, por të merremi dhe të fokusohemi se pse qytetarët duhet të shkojnë te kutia e votimit në 25 prill.
Përfitoj nga rasti dhe u bëj thirrje që të gjithëve që në 25 prill të shkojë drejt kutive të votimit. Tani që u botua dhe në Fletoren Zyrtare edhe vendimi i qeverisë për shtyrjen e kartave të identitetit deri në 30 prill, sepse kjo vinte dhe si shkak i varfërisë së njerëzve që nuk kishin mundësi të paguanin një kartë identiteti sepse çdo vit vjen duke u shtuar. Kjo është edhe mënyra dhe mundësia për ti çuar njerëzit në kutinë e votimit, për ti dhënë verdiktin e tyre për të ndryshuar dhe sjellë një jetë më të mirë për ta.
KOHA JONË SONDAZH

