Kryeministrat e Ballkanit takohen sot në Durrës. BE: Mbështesim bashkëpunimin e vendeve të Rajonit

Komisioneri për zgjerimin, Johannes Hahn mbërriti dje në Shqipëri për të qenë pjesë e takimit të sotëm informal të kryeministrave të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor që do të zhvillohet në Durrës. Në njoftimin e Bashkimit Europian sqarohet se në qendër të takimit do të jenë angazhimet e marra ne samitin e Triestes. “Komisioni Evropian mbështet fuqimisht bashkëpunimin rajonal të Ballkanit Perëndimor si një pjesë përbërëse të perspektivës së tij për anëtarësim në BE, përmes investimeve të konsiderueshme në ndërlidhjen e infrastrukturës, ekonomive dhe njerëzve me vetë rajonin, si dhe mes rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian” theksohet ne këtë njoftim. Takimi informal i kryeministrave do të nisë paraditen e sotme, në orën 10.00, e në mbyllje të tij do te këtë një deklaratë të përbashkët të kryeministrit Edi Rama dhe Komisionerit për Zgjerimin Johanes Hahn.

Takimi i Durrësit

Paraditen e sotme, më 26 gusht 2017, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama do të mbajë në Durrës një takim informal të Kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, me temë thellimin e integrimit rajonal dhe me fokus në ekonomi dhe tregti. Në këtë takim do të marrin pjesë Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç, Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës Denis Zvizdiç, Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, Kryeministri i Malit të Zi Dushko Markoviçm, si dhe Komisioneri Johannes Hahn dhe Cyril Muller, Zëvendës Presidenti i Bankës Botërore për Europën dhe Azinë Qendrore. Veprimtaria njëditore do të përbëhet nga sesione të ndryshme pune, gjatë së cilave do të diskutohen tema si tregtia, shërbimet, investimet dhe ekonomia digjitale. Pritet që Kryeministrat e Ballkanit Perëndimor të diskutojnë më tej dhe të garantojnë angazhim maksimal në nivel të lartë në drejtim të zbatimit të Planit Shumëvjeçar të Veprimit për Zonën Ekonomike Rajonale për të cilën u ra dakord në Samitin e Triestes. Gjithashtu, rezultatet e deritanishme të Procesit të Berlinit dhe perspektivat e ardhshme të bashkëpunimit rajonal të Ballkanit Perëndimor do të jenë një nga temat e diskutimit.

Swiss Digital Desktop Reklama

Swiss Digital Mobile Reklama

“Prioritetet e qeverisë së re janë zbatimit i reformës në drejtësi dhe lufta krimit të organizuar”

BE: Qeveria “Rama 2” të adresojë në agjendën e saj edhe çështjen e azilkërkuesve

Kur kishin mbetur 48 orë para se kryeministri Edi Rama të shpallë kabinetin me të cilin do të qeverisë Shqipërinë në 4 vitet e ardhshme, Brukseli deklaron se qeveria e re duhet të fokusohet tek zbatimi i reformës ne drejtësi e ne mënyrë specifike tek vetingu. E kontaktuar nga dje nga televizioni “Vizion Plus”, zëdhënësja e Bashkimit Europian, Maja Koçijançiç, thekson se BE-ja pret nga qeveria “Rama 2”, që përveç zbatimit të reformës në drejtësi edhe luftën kundër drogës, si dhe adresimin e çështjes së azilkërkuesve. “Tani ne presim një qeveri të angazhuar fort për të çuar vendin përpara në rrugën e integrimit përmes përpjekjeve të qëndrueshme për reforma. Qeveria e re, veçanërisht, duhet të përqendrohet tek zbatimi i reformës në drejtësi dhe procesit të vetingut, i cili është thelbësor në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Qeveria e re duhet gjithashtu të fokusohet në mënyrë më efektive në luftën kundër trafikut të drogës dhe kultivimit dhe përtej kuadrit të 5 prioriteteve kyçe, të trajtojë edhe çështjen e aplikimeve dukshëm të pabazuara për azil nga qytetarët shqiptarë në vendet anëtare të BE dhe në vendet që janë pjesë e Shengenit”,- tha Koçijançiç. Ndërkaq, Komisioneri për zgjerimin Johannes Hahn mbërriti mbrëmjen e së premtes në Tiranë, për t’u bërë pjesë e takimit të së shtunës mes kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, një takim që për Brukselin do të shërbejë për të diskutuar hapat e mëtejshëm pas Samitit të Triestes. “Takimi i liderëve në Durrës do të bashkojë kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, për të diskutuar hapat e mëtejshëm pas takimit të suksesshëm të Samitit të Triestes, në korrik. Veçanërisht, zbatimin e planit të veprimit për të thelluar integrimin rajonal ekonomik, për të cilin u ra dakord në Samitin e Triestes. Diskutimi do të fokusohet në hapat e menjëhershëm qe duhen ndërmarrë para fundit të këtij viti, për t’u siguruar që plani i veprimit do të përkthehet në rezultate konkrete dhe në mundësi të reja për rajonin.”- thuhet në njoftimin e djeshëm. Procesi i vetingut dhe zbatimi i reformës në drejtësi, pritet të nisë në muajin shtator e pas kësaj, Shqipëria synon hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, e cila duket se do të jetë një prej sfidave kryesore të qeverisë “Rama 2”. /H.M

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?