“Kufijtë”, Buzhala: Ndryshimi i kufijve sjell Rusinë në Ballkan
Gazetari Berat Buzhala, bëri një deklaratë të fortë në emisionin ‘Të Paeskpozuarit’ në Neës24, ku u diskutua mundësia e ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.
Buzhala tha se ky projekt rikthen Rusinë në Ballkan. Ai gjithashtu u ndal tek presidenti Vuçiç, i cili sipas Buzhalës, nuk është një politikan me të cilin mund të lidhen marrëveshje pasi është një ‘fundërrinë nacionaliste’.
‘Vladimir Putin, në gjithë intervistat që ka dhënë vitet e fundit për mediat gjermane, thoshte, Rusia ka veç një pendim, si na iku Ballkani nga dora kaq lehtë, sepse nuk ishim përgatitur për me qenë protagonist, siç janë në Siri.
E vetmja formë për të kthyer Rusinë në Ballkan, për të qenë faktor , është të hapet kjo temë, të diskutohet për fshatra edhe për vija kufitare. Kushdo që pret prej një autokrati siç është Vuçiç, i cili nuk ka liri të shprehjes në Serbi, i cili e ka rrënuar demokracinë. Prej një autokrati në Kosovë, si Thaçi, me tendenca për të qenë autokrat, me rregullu në mënyrë paqësore një çështje, është naiv.
Kush pret prej njerëzve që nuk respektojnë asnjë rregull demokratik, paska një qëllim të mirë final, paska ruajtur një shpirt të mirë, për paqen rajonale.
Njoh veprimet e Vuçiç, qëkur ka qenë ministër i Millosheviçit. Kur i conte birra Ratko Mlladiçit dhe Karadjiç. Vuçiçi është fundërrina e nacionalistit serb, i cili është rritur në vitet 90. Ai është cdo gjë, përvec një politikan që i besohet në marrëveshje’, u shpreh Buzhala.
Gazetari Berat Buzhala deklaroi se ky është një projekt i presidentit Thaçi, i cili ka konflikt personal, për shkak se me gjasë do të jetë subjekt i gjykatës speciale. Buzhala tha se Thaçi nuk është treguar asnjëherë i sinqertë dhe se ka bërë deklarata qesharake ku pretendon se Kosova do të marrë Luginën e Preshevës, pa dhënë asgjë në këmbim.
“Nuk kemi patur të paktën kohët e fundit, kërkesa nga poshtë lart, për të vajtur drejt bashkimit. Është hera parë që shkon nga lart poshtë, në rastin konkret te presidenti Thaçi, i cili këtë gjë e bën, sepse është i shantazhuar dhe ka konflikt interesi direkt në këtë proces, për shkak të Tribunalit Special. Pra, arsyeja e parë dhe e vetme është kjo.
I gjithë ky projekt po ndërtohet mbi gënjeshtra. Ne po flasim për një të tretën e territorit të Kosovës, e cila është në pazar me Serbinë. Presidenti Thaçi, nuk është treguar asnjëherë i sinqertë, ka deklaruar, se do të marrim Luginën e Preshevës dhe nuk do të japim asgjë. Si mund të debatojmë ne për një projekt, kur ai që e ka në dorë projektin, thotë ne kemi për të marrë dhe nuk do të japim asgjë, edhe thotë Serbia nuk po na njeh sepse se kemi marrë Luginën e Preshevës? Si mund ta mbështesim apo si mund të jemi racional, kur e gjitha është ndërtuar mbi një gënjeshtër.
Pjesë e marrëveshjes së Kosovës dhe Serbisë, pritet të jetë, falja ose amnistia për të gjtihë krimet e luftës që kanë ndodhur mes nesh dhe tyre. Parimisht nuk do të ishte gjë e keqe, kanë kaluar 20 vjet përse të mos kishte pajtim. Por, kjo do të ishte e mirë sikur presidenti Thaçi, të mos ishte njëri nga subjektet e tribunalist special. Pra personi që e prin procesin, është pjesë potencialisht, i një tribunali, ku akuzohet për krime të luftës dhe për krim të organizuar”, u shpreh Buzhala.

KOHA JONË SONDAZH

