Lesi: Kjo opozitë akoma nuk është e bashkuar, nuk ka strategji, nuk ka forcë për të rrëzuar Ramën
Në emisionin Now në “Euronews Albania”, publicisti i njohur Nikoll Lesi, botues i KOHA JONE, tha se kjo protestë e sotme e Ilir Metës tregoi se opozita nuk është e bashkuar, siç proklamuan Berisha dhe Meta gjatë verës se në shtator do vinte ndryshimi i madh, se në shtator do të bëhet nami, se në shtator do krijohet qeveria teknike, etj.
“Meqë u bë gjithë ajo përgatitje se shtatori do bënte namin, kjo protestë duhet të kishte njerëz, të paktën 10-15 mijë veta. Aty ishin vetëm njerëzit e Ilir Metës, kishte ardhur vetëm Edmond Spaho i PD-së me shoferin e vet”, tha Lesi.
Sipas tij, Berisha duhet të ishte në protestë bashkë me grupin parlamentar të PD për të treguar se opozita është e bashkuar dhe e gatshme të rrëzojë Ramën siç pretendojnë përditë.
“Kjo opozitë po vjen me dy gjela dhe kjo do krijojë probleme. Atje duhet të shkonte edhe Berisha dhe grupi parlamentar i PD për të treguar se jemi një dhe brenda vjeshtës do ta rrëzojmë Ramën siç kanë thënë. Kjo opozitë është pa strategji, nuk krijon besim”, u shpreh Lesi.
Më tej Lesi tha se kush fiton Tiranën, ka fituar zgjedhjet. Dhe duket hapur se Tiranën e ka të fituar Erion Veliaj, pasi opozita nuk ka kandidat serioz dhe do të jetë e përçarë.
“Meqënëse Berisha dhe Meta na kanë thënë se në shtator bëhet nami, ku e kanë protestën e madhe, që na premtuan në gusht?”- pyeti Lesi duke iu drejtuar Arben Ristanit të PD.
“Opozita kërkon solidaritet, emra të rinjë, platformë, vendosmëri, forcë, popull dhe duhet që lidershipi ti udhëheq në përballje me regjimin, siç e quani ju”- foli Lesi në emision.
I pyetur nga drejtuesja e emisionit se kush e mund Erion Veliaj në Tiranë Lesi tha se “Ilir Metën e tradhtoi Berisha, Jorida Tabakun nuk e kandidon PD; pra duhet të vijë njeri nga Hëna për të mposhtur Erion Veliajn në kryeqytet. Për fatin e keq të opozitës më duhet të pranoj se Erion Veliaj ka fituar që sot Bashkinë”.
Në lidhje me premtimet Ilir Metës se “shtatori do të jetë zjarr dhe se do ta detyrojmë Ramën për qeveri teknike para zgjedhjeve vendore”, Lesi shtoi se Berisha po punon për të rimarrë ato bashki që kishte dikur, ndërsa qeveri teknike nuk ka. Harrojeni. Po ta shikosh me kujdes, ndryshe thotë Meta e ndryshe vepron Berisha. Me dy gjela nuk bëhet opozitë!”- theksoi Lesi.

KOHA JONË SONDAZH

