Lindita Nikolla takohet me homologun italian: Italia, avokatja e Shqipërisë në integrimin europian
Kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka pritur në takim këtë të martë, kreun e Dhomës së Deputetëve të Italisë, Roberto Fico.
Në një deklaratë për shtyp pas takimit, Nikolla u shpreh se Italia është avokatja e Shqipërisë në procesin e integrimit europian.
“Shpreha mirënjohjen për Italinë si avokate e integrimit europian të Shqipërisë si dhe për Dhomën e Deputetëve si nxitëse dhe mbështetëse e kësaj avokatie. Ndamë të njëjtin mendim për arritjet e Shqipërisë në rrugëtimin europian dhe besimin se tryeza e parë do të mbahet sa më shpejt gjatë Presidencës franceze. Vlerësova mbështetjen e Italisë për ndërtimin e Shqipërisë europiane dhe një Ballkani Perëndimor në Europë. Vlerësuam angazhimin politik të qeverisë italiane dhe nismën e parlamentit për fillimin e negocimit të marrëveshjes dypalëshe për sigurimet shoqërore” – tha Nikolla.
Në fjalën e tij, Roberto Fico tha se në një moment të tillë kur po zhvillohet një luftë në Ukrainë, Bashkimi Europian duhet të ecë me shpejtësi drejt zgjerimit të saj me shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Fico thotë se BE duhet të hapë sa më parë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë.
“Ne jemi këtu për të fuqizuar bashkëpunimin parlamentar përmes një protokolli shumë të rëndësishëm. Do të na çojë përpara në shqyrtimin e problematikave të ndryshme. Besoj se ky moment me të cilën bota po ndryshon me shpejtësi, BE ka mbërritur momenti që të nisë, të çelë negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në union. Për Italinë ka qenë çështje thelbësore dhe sot është ndërruar dhe në çështje strategjike” – tha Fico.
KOHA JONË SONDAZH

