LSI hedh poshtë projekligjin për minoritetin, Vasili: Provokim i rëndë
LSI e ka hedhur poshtë sot në Kuvend, projektligjin e paraqitur “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare”. Kryetari i Grupit të LSI, Petrit Vasili, tha në fjalën e tij se “ky është provokim i rëndë”, pasi zhduk kufijtë ndërmjet pakicave dhe etniteteve.
“Ne ëmër të diskriminimit pozitiv, ligji afron koncepte që nuk pajtohen me konventën kuadër. Deformimet janë aq të mëdha sa të shtyjnë që të dyshosh se nuk jemi para një dokumenti juridik, por një dokumenti politik që të bën të mendosh se jemi para ish-Jugosllavisë së djeshme, – tha Vasili. – Ja ç’shkruhet në pikën dy, ku thuhet se cilat janë pakicat… Pra, janë zhdukur kufitë ndërmjet pakicave kombëtare, etniteteve me statuse historike të mjegullta, ndërmjet minoriteteve dhe pakicave kulturore.”
Fjala në Kuvend e Kryetarit të Grupit Parlamentar të LSI, Petrit Vasili:
“Të nderuar kolegë!
Do të më lejoni që, për shkak se kolegu Luan Rama nuk pati mundësi që të mbante fjalën e tij, për shkak të një seance e cila mori një rrugë tërësisht të gabuar, tërësisht të evitueshme, po e rimarr përsëri fjalën e tij për të paraqitur konceptin tonë lidhur ligjin për mbrojtjen e pakicave kombëtare. Që në krye të fjalës po pohoj që ky ligj për mbrojtjen e pakicave kombëtare, në mënyrën se si është paraqitur nuk është sot dita për tu miratuar.
Së pari, sepse ai bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Së dyti ai bie ndesh me interesat kombëtare të shqiptarëve.
Së treti ai bie ndesh edhe me Konventën në kuadër të Këshillit të Europës për mbrojtjen e minoriteteve dhe gjithë komentuari që e shoqëron atë.
Ky shqetësim nuk ka lidhje me folklorizmin patriotik dhe as me nacionalizmat para urban krejt të zakonshëm në rajonin tonë. Madje nëse do ti përmbahesha diskursit nacionalisto-modern pashmangshmërisht e krejt natyrshëm do të shtroja pyetjen: A është Shqipëria një shtet multi-etnik dhe a janë shqiptarët popull shumicë shtet formues apo jo?
Projektligji që i është paraqitur Kuvendit nga qeveria nuk ka as koherencë as me traditën ligjbërëse një shekullore të Shqipërisë e as me konceptet dhe standardet bashkëkohore në shkencën e të drejtës në tërësi e të drejtës kombëtare në veçanti. Në emër të ashtuquajturit diskriminim pozitiv dhe që nuk është ndonjë çudi e re në parlamentarizmin shqiptar projektligji na ofron nocione koncepti që nuk pajtohen as me traditën e as me standardet e Konventës në kuadër për mbrojtjen e minoriteteve kombëtare të Këshillit të Europës.
Më e pakta që mund të them, ky është thjesht një konformizëm servil ndaj sloganeve Europiane. Shenjë e një papërgjegjshmërie dhe injorance shtetërore të patolerueshme. Deformimet janë aq të mëdha sa të shtyn të dyshosh se nuk jemi para një projekti juridik por përpara një projekti politik që nuk bën gjë tjetër por sjellë dhe synon të transferojë dhe implementojë në realitetin e sotëm shqiptar, problematikat e Jugosllavisë së djeshme.
Dëgjoni pak çfarë shkruhet në pikën 2 të nenit 3 të projektligjit. Në kuptim të këtij ligji pakicat kombëtare në Republikën e Shqipërisë janë pakicat greke, maqedonase, vllahe, arumune, rome, egjiptiane, malazeze, boshnjake, serbe e më duket se janë shtuar dhe ato bullgare. Si ka mundësi që demonstrimi i injorancës të mbërrij deri këtu sa të na ofrojë përmes këtij përcaktimi konfrontime të disa kategorive që janë botërisht të pranuara. Sepse janë zhdukur kufijtë midis pakicave kombëtare, bashkësive etnike, pakicave apo etniteteve kulturore, pakicave gjuhësore, popullsive biline dhe grupime të tjera me status historiko-tradicional të mjegullt. Si është e mundur që ky projektligj nuk bën dallimin midis atyre pakicave kombëtare që kanë territor kompakt dhe fqinjësi kombëtare me popuj të tjerë që janë pakica kombëtare. Pra janë minoritete të qartë me pakica të tjera pa territor kompakt, qoftë edhe fare të vogël që në të gjithë botën konsiderohen bashkësi etnokulturore dhe si rregull pakica kulturore.
E di që dikush do më referoj menjëherë Konventën në kuadër të Këshillit të Europës për mbrojtjen e minoriteteve. Atëherë më lejoni t’ju citoj fjalë për fjalë paragrafin e katër të kësaj konvente ku thuhet shprehimisht citoj: “Të angazhuar për të mbrojtur ekzistencën e pakicave kombëtare në territoret e tyre përkatëse”. Vini re, në territoret e tyre përkatëse thotë konventa. Çka në thelb shpreh qartë kushtin e parë që duhet të plotësojë një bashkësi për tu konsideruar pakicë kombëtare. Si është e mundur që nuk bëhet dallimi midis këtyre pakicave që gjuhën shqipe e kanë gjuhë të huaj, prej pakicash të tjera që flasin rregullisht dy gjuhë në të njëjtën kompetencë gjuhësore, njërën në shtëpi, në zyrë, në rrugë etj.
Mbi çfarë kriteresh projektligji i qeverisë cilëson me status të barabartë si pakicën kombëtare greke në Shqipëri me komunitetin rom-egjiptian duke i cilësuar pakica kombëtare? Ku e kemi zonën e pakicës edhe referuar Konventës së kuadrit të Këshillit të Europës, në rastin e bashkësisë rome-egjiptiane, vllehe apo qoftë dhe asaj serbe dhe bullgare. Zonë e pakicës do të thotë një territor kompakt dhe në vijimësi të territorit të vendit prej nga vjen pakica me kulturë historike, gjuhë e besim të njëjtë si psh në rastin e pakicës kombëtare greke, maqedonase apo malazeze në Shqipëri. Po në rastin e romëve, ku e kemi zonën pakicë, ku e kemi territorin kompakt, po në rastin e vlleheve ku e kemi territorin kompakt të zonës pakicë. Që një bashkësi të quhet pakicë kombëtare përveç territorit kompakt duhet që numerikisht të jetë shumicë relative brenda zonës pakicë apo brenda territorit të tyre përkatës siç e cilëson dhe Konventa në kuadër të KE në raport me popullsinë tjetër.
Ku e kemi këtë shumicë relative në rastin e vllehve, romëve, egjiptianëve, serbëve a bullgarëve që qeveria me projektligjin e saj na i shpall në një çast pakicë kombëtare. Ky projektligj me deformime shkencore historike të dëmshme, e në kundërshtim flagrant me realitetin faktik që ia ofron përbërja demografike e Republikës së Shqipërisë, pasqyron në fakt procese de-integruese në Ballkanin e dy dekadave të fundit por që nuk kanë as fare lidhje me Shqipërinë shtetërore. Nëse do të zhduket hierarkia, pakicë kombëtare, bashkësi etnike, pakicë etnokulturore, pakicë gjuhësore, popullsi dy-gjuhëshe siç synon në fakt ky projektligj ne do të marrim përsipër të kryejmë një falsifikim të rëndë historik e shkencor, që do të krijojë artificialisht probleme të shumta që Shqipëria nuk i ka pasur kurrë dhe asnjëherë në gjithë historinë e vet.
Përveç se falsifikim ky është dhe një provokim mbi vlerat më të qenësishme të qytetërimit shqiptar, mbi vetë dimensionet e bashkëjetesës e harmonisë së shoqërisë shqiptare. Duke stisur realitete të paqena përmes mbjelljes së Shqipërisë me pakica kombëtare inekzistente. Pra është tërësisht e kuptueshme që nuk jemi para një projekti ligjor por jemi përpara një projekti politik i cili nëse miratohet me verbërinë e kartonëve dhe nuk rrëzohet me logjikën e argumentave shkencor e historik, do ti çel udhën një Censusi të ri. Të projektuar djallëzisht për të ndryshuar realitetin e fotografuar për Censusin e 2011 realizuar me ekspertë të Universitetit të Sorbonës, Bolonjës dhe bashkëpunëtorë shqiptarë të kontaktuar nga BE. Me nocionet apo përcaktimit të projektligjit të qeverisë, në një census të ri struktura demo-etnike e vendit do të jetë një kaos të vërtet.
Sepse nuk mund të ketë të drejtë vetëdeklarimi për gjuhën dhe etninë. Gjuha dhe etnia janë të trashëgueshme. E drejta e vetëdeklarimit vlen vetëm për besimin fetar. Projektligji për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë ka ardhur në Kuvendin e Shqipërisë me kaq shumë probleme e deformime dhe për një arsye tjetër. Që ka rrjedhur nga procesi i konsultimit të tij. Ai nuk i është nënshtruar një diskutimi të detajuar e transparent. Jo vetëm në mjedisin politik jo e jo por ajo që është më e qenësishme nuk është bërë objekt diskutimi i debatit të gjerë, transparent, gjithëpërfshirës në gjithë mjedisin e vërtet dhe intelektual e shkencor me historianë, antropolog, etimolog, gjuhëtar, njohës së të drejtës kombëtare e kështu me radhë, mjaft figura si të këtij domeni të cilët do ishin të pazëvendësueshëm në një zgjidhje përfundimtare.
Sigurisht ne deputetët e Kuvendit të Shqipërisë jemi përpara një prove të madhe. Mund të duket një ligj i zakonshëm periferik. I cili ngjall edhe shumë pak, një numër diskutimesh siç vërehet dhe nga salla. Por jemi përpara një ligji, efektet dhe pasojat e tij mund ti pasojë shumë të rënda dhe në kohë të gjatë dhe të pariparueshme. Ndaj jemi përballë provës së dinjitetit dhe integritetit tonë në emër të të cilave ju ftoj sinqerisht të mos e votojmë sot këtë projektligj. Jo të mos kemi një projektligj por ta përpunojmë në mënyrë më të thellë, ta kthejmë në një objekt të një debati intelektualo-shkencor në rradhë të parë dhe më tej politik apo publik në radhë të dytë. Në mënyrë që të krijojmë dhe të kemi në dorë atë ligj që konsolidon realitetet, respekton të gjitha kërkesat dhe standardet më të mira europiane dhe njëkohësisht edhe atë traditë 100 vjeçare të shtetit shqiptar dhe atë solidaritet për të cilën kanë kontribuar mijëra e mijëra njerëz të ndershëm por edhe milionat e shqiptarëve me të gjithë qëndrimet e tyre politike por dhe historike ndër vite”.
KOHA JONË SONDAZH

