Lufta PS-PDIU për mandatin e Tiranës, KQZ do hapë sot kutitë
Herion Mesi
Përmes debatesh të shumta ngapërfaqësuesit e të gjitha forcave kryesore politike në vend, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi në mbledhjen e radhës që të hapë disa nga kutitë e materialeve zgjedhore, pas kërkesës së PS-së dhe PDIU-së, të cilat kanë të dyja pretendime për mandatin e 34 në Qarkun e Tiranës. Vendimi i KQZ-së është marrë në unanimitet të plotë, me shtatë votat e anëtarëve, ndërsa hapja e kutive dhe rinumërimi i votave të 43 kutive, do të zhvillohet paraditen e sotme, saktësisht, në orën 10:00 në ambientet e KQZ-së. Sipas kërkesave ankimore të cilat u pranuan nga institucioni i administrimit të zgjedhjeve, PDIU kërkon hapjen e 49 kutive të votimit, ndërsa PS 23 të tilla.
Debati i djeshëm në KQZ
Në nisjen e mbledhjes se përfaqësuesit e PDIU-së dhe PS-së kërkuan që të shtohet numri i Qendrave të Votimit që duhet të numërohen, pasi sipas tyre ka mospërputhje mes pamjeve filmike dhe shifrave në tabelat e rezultateve. Shpëtim Idrizi, kreu i PDIU-së e ka humbur mandatin për 38 vota, ndërkohë që PDIU-së pretendon se asaj i mungojnë të paktën 66 vota ne disa kuti votimi në Qarkun e Tiranës.
Përfaqësuesi i PDIU: Ne kërkojmë që të shtojmë edhe 7 qendra të tjera votimi. Ndërkohë që heqim dorë nga hapja e kutive në katër kuti votimi. Ne vlerësojmë se PDIU-së i mungojnë 66 vota në Tiranë.
Përfaqësuesi i PS: Gjatë shqyrtimit të videove dolën fakte dhe prova të reja. Ne kërkojmë që të hapen kutitë edhe të 14 qendrave të tjera të votimit.
Eridian Salianji: Të mos bëjmë pis votimin për 65 fletë votimi. Për 1.5 milionë zgjedhës, ne i bie të hapim 65 fletë.
Shpëtim Idrizi tha dje në mbledhjen e KQZ-së që gjatë shqyrtimit të videove të numërimit, votat e asnjë partie nuk përputhen me ato që kanë në kuti dhe ato që kanë të shënuara në procesverbale. Sipas tij në shumë raste numëruesit kanë ndarë votat e pavlefshme me njeri tjetrin. “Ne duhet të ndalojmë gjatë të ky fenomen. Në qoftë se hapen kutitë e Tiranës dhe gjendet qoftë edhe një kuti që përputhet me procesverbalin. Ka raste që votat e pavlefshme ndahen mes subjekteve. Ne kërkuam që të shihnim votat e munguara të PDIU-së. Por kemi mbajtur shënim edhe votat e partive të tjera. Në 90 për qind të qendrave të votimit që në kontestojmë PDIU vetëm në 10% të tyre ka pasur numërues. Në të gjitha qendrat e votimit që konteston PS-ja, vetëm në 2 raste PDIU ka pasur numërues. I bie që nga njëra anë na kanë vjedhur votat, nga ana tjetër, edhe aty ku nuk kemi pasur numërues na kanë dhënë vota”, tha Idrizi. Por kreu i KQZ-së, Klement Zguri u përgjigj duke thënë se “është tronditëse që 18 përfaqësues që përfaqësojnë interesa të ndryshme politike, të jenë kaq indiferent që pranojnë këto lloj shkeljesh”- theksoi kreu i KQZ-së, Klement Zguri.
Pretendimet për mandatin e 24
Fati i mandatit të 34 në Qarkun e Tiranës do të vendoset sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Institucioni më i lartë i administrimit të zgjedhjeve do të marrë në shqyrtim këtë të mërkurë dy kërkesat ankimore, atë të PS-së dhe atë të PDIU-së, të cilat në objekt të kundërshtimit të tyre kanë pikërisht për rezultatin e Tiranës në zgjedhjet e 25 qershorit. Të dyja kërkesat kanë për objekt hapjen e një numri të caktuar kutish dhe rinumërimin e votave. PS ka pretendime për rezultatin e 23 kutive në Tiranë, ku ata pretendojnë se PDIU-së i janë shënuar më shumë vota se sa ka marrë realisht. Këto pretendime, sipas PS, vërtetohen edhe nga pamjet filmike, por edhe nga vlerësimet e bëra nga vëzhguesit në vendet e numërimit të votave. Gjithashtu, edhe PDIU kërkon hapjen e kutive. Janë 49 kuti votimi të cilat sipas PDIU kanë prodhuar një rezultat të rremë për këtë forcë politike. PDIU pretendon se në këto kuti gjenden më shumë vota nga sa i janë shënuar kësaj force politike në tabelën e rezultateve të Tiranës. Këto vota, sipas PDIU, do bëjnë të mundur kapërcimin e pragut elektoral në Qarkun e Tiranës dhe për rrjedhojë marrjen e mandatit të Shpëtim Idrizit. PDIU ishte shumë pranë kapërcimit të pragut prej 3% në Tiranë, por për 37 vota humbi mandatin e deputetit. Afati për kontestimin e rezultatit të zgjedhjeve të 25 qershorit u mbyll dje, ndërsa kërkesat e vetme nga subjektet politike janë ato të PS dhe PDIU për Tiranën dhe PD e cila kërkon rinumërimin e dy kutive të Kuçovës në Qarkun e Beratit.
KQZ shpërndan mandatet e deputetëve për 10 qarqe, të pazyrtarizuar Tirana dhe Berati
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e ditës së djeshme shqyrtoi, miratoi dhe shpërndau në mënyrë zyrtare mandatet e deputetëve për 10 qarqe në vend. Dy qarqe të tjera, Tirana dhe Berati, për shkak se kanë ankesa nga partitë politike, janë ende të pazyrtarizuar.
Më poshtë janë mandatet për secilin qark:
KQZ vendosi të shpërndajë mandatet për partitë politike në zonën zgjedhore Qarku Vlorë: Partia Socialiste 8 mandate; Partia Demokratike 3 mandate; Lëvizja Socialiste për Integrim 1 mandat.
KQZ vendosi të shpërndajë mandatet për partitë politike në zonën zgjedhore Qarku Shkodër: Partia Demokratike 5 mandate; Partia Socialiste 4 mandate; Partia Social Demokrate e Shqipërisë 1 mandat; dhe Lëvizja Socialiste për Integrim 1 mandat.
KQZ vendosi të shpërndajë mandatet për partitë politike në zonën zgjedhore Qarku Lezhë: Partia Socialiste 3 mandate; Partia Demokratike 3 mandate dhe Lëvizja Socialiste për Integrim 1 mandat.
KQZ vendosi të shpërndajë mandatet për partitë politike në zonën zgjedhore Qarku Kukës: Partia Demokratike 2 mandate dhe Partia Socialiste 1 mandat.
KQZ vendosi të shpërndajë mandatet për partitë politike në zonën zgjedhore Qarku Korçë: Partia Socialiste 6 mandate; Partia Demokratike 4 mandate; dhe Lëvizja Socialiste për Integrim 1 mandat.
KQZ vendosi të shpërndajë mandatet për partitë politike në zonën zgjedhore Qarku Gjirokastër: Partia Socialiste 3 mandate; Partia Demokratike 1 mandat; dhe Lëvizja Socialiste për Integrim 1 mandat.
KQZ vendosi të shpërndajë mandatet për partitë politike në zonën zgjedhore Qarku Fier: Partia Socialiste 10 mandate; Partia Demokratike 4 mandate; dhe Lëvizja Socialiste për Integrim 2 mandate.
KQZ vendosi të shpërndajë mandatet për partitë politike në zonën zgjedhore Qarku Elbasan: Partia Socialiste 7 mandate; Partia Demokratike 3 mandate; Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet 2 mandate; dhe Lëvizja Socialiste për Integrim 2 mandate.
KQZ vendosi të shpërndajë mandatet për partitë politike në zonën zgjedhore Qarku Durrës: Partia Socialiste 8 mandate; Partia Demokratike 4 mandate; dhe Lëvizja Socialiste për Integrim 2 mandate.
KQZ vendosi të shpërndajë mandatet për partitë politike në zonën zgjedhore Qarku Dibër: Partia Socialiste 2 mandate; Partia Demokratike 2 mandate; Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet 1 mandat; dhe Lëvizja Socialiste për Integrim 1 mandat
KOHA JONË SONDAZH

