Lulzim Basha: Nazer Seiti do tregonte sa para mori Saimir Tahiri
Pas një seance të tensionuar në Kuvend, ku opozita qëndroi gjatë gjithë kohës në foltore, pasi çështja e Nezer Seitit nuk u përfshi në rend dite kryedemokrati Lulzim Basha zgjedh emisionin “Studio e Hapur” në News 24 për të komentuar gjithçka ndodhi.
Sipas tij, opozita nuk mund të pranojë marrjen peng të një njeriu që do kthehej në dëshmitar të drejtësisë.
Në studion e Eni Vasilit kreu i PD-së do ketë përballë analistin Fatos Lubonja dhe gazetarin Robert Rakipllari. Ai do të komentojë edhe negociatat e nisura me grekët për marrëveshjen e detit.
Intervista e tij vjen pak ditë pas protestës së 27 janarit dhe me interes pritet të jetë strategjia që do të ndjekë PD-ja dhe aleatët e saj.
Ishte një skenë e parapërgatitur ajo që pamë sot në Kuvend?
E kundërta, ishte një sjellje e përsëritur nga mazhoranca për të na hequr të vetmen të drejtë në atë Parlament, fjalën. Kryetari i grupit e mori fjalën në një moment të paprecedent kur shteti shqiptar 5 apo 6 institucione kanë rrëmbyer dëshmitarin kyç të dosjes Tahiri-Habilaj. Pra, ai kërkoi praninë e kryeministrit dhe ministres së Drejtësisë e cila u përcoll me lezet. Edi Ram ka zhurmuar këtë megaskandal. Rrëmbimi i Nazer Seitit është më i rëndë se publikimi i përgjimeve për Tahirin nga antimafia italiane. Është ekstraduar kur avokati i tij po niste procedurat për ta shpallur si i penduari i drejtësisë, pra ai do pranonte të rrëfente në detaje bashkëpunimin dhe bashkëpunëtorët. Llogaritari i bandës, njeriu që disponon sa para shkuan tek Tahiri, sa tek policia në momentin që avokati u vu në lëvizje u rrëmbye. Ligji shqiptar ndalon ekstradimin e një personi në hetim.
Dokumentat
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha publikoi dy dokumente që sipas tij faktojnë se ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj gënjeu për ekstradimin e Nazer Seitaj.
Basha tha se financieri i Habilajve është arrestuar me urdhër të prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe nuk mund të ekstradohej sepse ishte në hetim nga autoritetet shqiptare.
“Ky person nuk mund të ekstradohet dhe për një arsye të thjeshtë. Sa kohë është në hetim. Këtu tek ju ka thënë ministri i brendshëm tha se u arrestua me 20 tetor me urdhër të Interpolit. Ky është një mashtrim. Ja ku e keni dokumentin e policisë Vlorë, procesverbali kur ky ndalohet me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për veprën penale për të cilën po hetohet Tahiri dhe Habilaj. Ky është dokumenti që e vërteton. Xhafaj dy ditë më parë gënjeu, sepse ai e ka këtë dokument. Skandali është edhe më i thellë. Ky proces ka nisur 2 herë dhe filtrat e shtetit kanë funksionuar dhe kanë thënë që ky person nuk mund të ekstradohet sepse Prokuroria e Krimeve të Rënda po e heton. Është një mashtrim bajat i rëndomtë sepse Ministrja e Drejtësisë ka nënshkruar 3 letër-porosi për prokurorinë e Catanias. Janë gjurmët e gishtave të një kupole mafioze për të ndihmuar Saimir Tahirin dhe çështja e tij të zvarritet apo mundësisht të mbyllet çështja”, deklaroi Basha, raporton “BalkanWeb”.



KOHA JONË SONDAZH

