Majko: Të huajt shuplakë për ata që bëjnë anti-miting, jo Shqipërinë
Deputeti socialist Pandeli Majko ka kritikuar edhe njëherë qëndrimin e opozitës dhe rezistencën e saj për të mos u bërë pjesë e zgjedhjeve parlamentare.
Majko pohoi se deklaratat e perëndimorëve janë një shuplakë për PD-në dhe jo për Shqipërinë.
Pandeli Majko: Është e padiskutimtë, Shqipëria nuk do të shikohet si një shtet normal kur opozita bën një rezistencë të tillë, bën një aventurë të tillë, deklaron se nuk do të hyjë në zgjedhje. Por është po kaq e paprecedentë që të vijnë të gjithë përfaqësuesit e perëndimit, dhe të thonë – ashtu!? Nuk do PD të hyjë në zgjedhje?! Dakord. Ne do t’i njohim zgjedhjet, edhe sikur PD të mos hyjë!
Kjo nuk është shuplakë, nuk është shuplakë për Shqipërinë. Kjo është shuplakë për ata të cilët mendojnë se ai që hiqet më trimi, ai që bën anti-mitingun më të madh, ai që di të bëjë rrëmujën më të madhe, ai që di të bëjë konfliktin më të madh, ai që do të bëjë rrëmujë edhe disbalancim të shtetit shqiptar, ai, “i pari i fshatit”, ai dhe vetëm ai, mund të jetë ai që do të vendosë gjërat!
Deklaratat deputeti socialist i bëri gjatë një takimi me votues të herës së parë në njësinë 5 në kryeqytet.
Kryetari i Partisë Socialiste të Tiranës, Saimir Tahiri, duke paralelizuar situatën aktuale dhe trazirat e vitit 1997 deklaroi se sot po njëlloj si atëherë e tashmja dhe e ardhmja është e kërcënuar.
Sipas tij ata që kanë qeverisur për 8 vite me radhë Shqipërinë nga frika e drejtësisë, po kërkojnë ta mbajnë peng vendin. Tahiri tha se në 18 qershor me votë, do t’i jepet fund gjeneratës së politikës së vjetër.
Saimir Tahiri: Shikojeni çfarë thonë praktikisht dhe duan t’i thonë të gjithëve, se Shqipëria nuk mund të eci përpara në qoftë se nuk janë edhe ata aty. Në fakt Shqipëria sigurisht që mund të eci përpara. Nuk ka nevojë për ata. Shqipëria ka nevojë për të rinj dhe të reja që vendosin për fatin e tyre. Nuk ka nevojë për njerëz që duan ta mbajnë peng. Shqipëria ka nevojë për njerëz që i japin forcë idesë së tyre dhe bashkohen. Nuk ka nevojë për ata që duan ta mbajnë peng Shqipërinë, ka nevojë për ata që bashkohen në datë 18, me ne, me Partinë Socialiste, me ju, me të rinjtë. Këtu në Tiranë dhe në çdo cep të Shqipërisë për fitoren që meriton’’.
Duke u bërë thirrje të rinjve të marrin pjesë në votime, kreu i Bashkisë Erion Veliaj solli në vëmendje se shumë nga investimet e nisura rrezikojnë të mbeten në mes, në mos të prishen, nëse e djathta vjen në pushtet.
Erion Veliaj: Miqtë e mi nuk dua t’ju rreshtoj të gjithë gjërat që kemi bërë në Njësinë 5, por di t’ju them që siç u bënë, edhe mund të prishen, se u nis të bëhej sheshi “Skënderbej” dhe u prish, u nis të mbaronte “Zogu i Zi” dhe u prish.
KOHA JONË SONDAZH

