Majlinda Bregu mendim ndryshe nga Lulzim Basha për zgjedhjet
Deputetja e Partisë Demokratike Majlinda Bregu ka folur për krizën politike dhe mendimin që ajo ka kundër bojkotit të zgjedhjeve nga ana e opozitës. Duke folur për gazetarët pas mbledhjes së grupit parlamentar të PD, Bregu tha se PD ndodhet në një situatë të rëndë dhe në 18 qershor nuk mund të ketë zgjedhje. Ajo sqaroi se është kundër bojkotit, pasi në Parlamentin e ri të paszgjedhjeve Edi Rama do të ketë kontroll të plotë dhe pa opozitë.
“Unë nuk e gjej me vend që të heshtja përpara një situate të rëndë që po kalon PD. Unë them që mos ndoshta po i japim alibi Edi Ramës që të mbretërojnë në Parlamentin tjetër. Sot ka një sërë cështjesh që mua nuk më bëjnë të ndihem mirë. Shqipëria është një vend me 1000 halle dhe unë nuk e gjej me vend t’i lëmë qytetarët në një klimë tensioni. Dalja e mosbindjes civile nuk e bën PD më të madhe dhe nuk mund të hesht. Shpresoj që ky shqetësim mos të jetë vetëm shqetësimi im. Është halli i atyre demokratëve që nuk do të ndjehen të përfaqësuar. Jam e bindur se 18 qershori nuk do të jetë një ditë zgjedhjesh”, tha Majlinda Bregu.
Ndërsa, i pyetur nga gazetarët se si i komenton kritikat e Majlinda Bregut, Basha u shpreh se nuk u bë asnjë kritikë por u dha një mendim ndryshme nga deputetja në mbledhjen e grupit. Liria e mendimit ndryshe është normale, tha Basha.
“Asnjë kritikë nuk kam marrë. Është shprehur një mendim nga një anëtare e grupit parlamentar të PD, i bazuar në një premisë të gabuar dhe në mënyrë unanime konstatoi që nuk ka bojkot të zgjedhjeve, por ka luftë paqësore për të mos lejuar marrjen peng të vendit nga krimi dhe droga”, u shpreh kreu i PD.
KOHA JONË SONDAZH

