Marrëveshja PS-PD, cilët janë emrat dhe postet që do ti jepen opozitës
Kryeministri Edi Rama erdhi dje, me shpejtësi nga Elbasani në Tiranë për të marrë pjesë në tryezën e propozuar nga dy aleatët e PD-së, kreu i PR-së, Fatmir Mediu dhe ai i PAA-së, Agron Duka. Madje kjo ka qenë një ardhje surprizë e kreut të qeverisë, ndërsa në Elbasan, në një takim me gratë socialiste kishte deklaruar se i quante të mbyllura negociatat dhe nuk kishte çfarë të diskutonte më me opozitën. Por, sipas Ramës, i takonte kreut të PD-së të jepte një përgjigje për propozimet që kishte mbi tryezë. Burimet nga takimi i përbashkët i partive parlamentare thanë se aleatët e PS-së, kreu i LSI-së Petrit Vasili, ashtu edhe ai i PDIU-së Shpëtim Idrizi, ishin dakord që të pranohej paketa “McAllister”, në të cilën përfshihej data e zgjedhjeve, 16 korrik. Por, kryeministri Rama i ka qëndruar datës 18 qershor për orë të tëra, duke mos lëshuar në këtë pikë. Ndërkohë, në takimin e dytë kokë më kokë, mes tij dhe kreut të opozitës, takim që shkoi përtej mesnatës dhe që u kërkua nga vetë Rama, kreu i qeverisë mësohet se ka deklaruar se SHBA-të nuk janë konsultuar me të në paketën “McAllistër+”. Nga e gjitha kjo, kanë derivuar arsyet se nuk mund të pranojë shtyrjen e zgjedhjeve, për të cilën nuk e ka pranuar si datë, për negocim. Ai është shprehur i gatshëm që mund të diskutonte për datën e zgjedhjeve. Ndaj ky diskutim e ka shtyrë kryeministrin që t’i bëjë kërkesë zotit Basha për një takim kokë me kokë, lidhur me faktin se negociatat nuk duhen të bëhen publike. Në fund të takimit kokë më kokë, Rama deklaroi se ishte 100% me kreun e opozitës. Të njëjtat burime bënë të ditur për GSH.al se dy kryetarët mund të kenë biseduar edhe për emrat që do të vendosen në pozicionet që do të drejtohen nga opozita deri në zgjedhjet e ardhshme, datën e të cilave pritet ta mësojmë sot. Rama pati propozuar pak kohë më parë zv.mini-stra në dikasteret që kanë ndikim te zgjedhjet, siç është Ministria e Brendshme, ajo e Drejtësisë apo ajo e Arsimit. Por ende nuk dihet nëse ai ka pranuar që këto 3 pozicione t’ia japë PD-së në nivel ministrash.
Deklaratat
Para se të arrinin në takimin e darkës së djeshme, kryeministri i kërkoi kundërshtarit të tij të mos fliste në emër të SHBA-ve sepse ata flasin vetë. “Lëri letrat publike, mos u fshih pas McAllister, fokusohu tek oferta që ke në tryezë”, – i tha Rama, Bashës. Ndërkohë, në një deklaratë të saj, Partia Socialiste e cilësoi angazhimin në këto përpjekje edhe të partnerëve strategjikë amerikanë, pas ezaurimit të të gjitha përpjekjeve të miqve e partnerëve europianë të Shqipërisë, si mundësia e fundit për Partinë Demokratike për të hequr dorë nga shantazhet e rrugës dhe për t’u kthyer në rrugën e garës demokratike. Nga Elbasani dje, Rama la të kuptohet se mundësitë për PD-në kishin marrë fund. Ai i la afat deri në mesnatë, por takimi mes tij dhe Bashës zgjati 1 orë pas mesnate. Në Elbasan Rama deklaroi se “nesër (sot) Partia Socialiste do fillojë fushatën zyrtare për zgjedhjet e 18 qershorit”. “Nuk kemi parë ndonjëherë ndonjë qeveri, ndonjë kryeministër t’i lutet opozitës, t’i lutet kryetarit të partisë së madhe të opozitës ‘hajde takohemi’, t’i lutet aq shumë sa as Romeo, Zhuljetës nuk i lutet në dramën e Shekspirit, dhe të mos ia dalë e të marrë vazhdimisht përgjigjen ‘takohem me ty, kur ti të sjellësh dorëheqjen’. Domethënë, më sill dorëheqjen, të dalësh në fotografi me mua, i thonë kësaj. Se për çfarë do takohemi, nëse unë të sjell dorëheqjen!” – u shpreh Rama.
ÇFARE ESHTE PAKETA MCALLISTER
Përmbledhje e pikave kryesore në propozimin e integruar (“McAllister Plus”) paraqitur nga Ndihmës Zëvendës Sekretari Hoyt Yee më 16 maj 2017
- Një zëvendës Kryeministër i përkohshëm (person jo-politik), i propozuar nga opozita;
- Caktimi konsensual i katër ministrave (ekspertë teknik të respektuar) me qëllim parandalimin e keqpërdorimit të administratës publike dhe ndikimeve në procesin zgjedhor;
- Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i zgjedhur nga opozita;
- Avokati I Popullit i zgjedhur nga opozita;
- Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, te cilat do te garantojnë standardet më të larta të nevojshme për zgjedhje të lira dhe të ndershme;
- Përzgjedhja konsensuale e një kandidati të respektuar për President, i pranueshëm për Qeverinë dhe për Opozitën. (Nuk është më e mundur pasi Presidenti tashmë është zgjedhur në Parlament vetëm me votat e shumicës qeverisëse)
- Krijimi i një ministrie të re speciale, të drejtuar nga një figurë politike e zgjedhur nga opozita, e cila do të merret ekskluzivisht me zbatimin e çdo hapi që duhet të merret, në mënyrë që në të ardhmen shqiptarët mund të kenë mundësinë të votojnë përmes një sistemi elektronik.
- Ndryshime në ligjin për transparencën e financimit të partive politike.
- Ndryshime në Kodin Penal, dënime më të ashpra për blerjen e votës, fotografimin e fletës së votimit dhe krime të tjera lidhur me zgjedhjet.
- Burime shtesë për KQZ-në për të monitoruar financimin e zgjedhjeve dhe transparencën e shpenzimeve, duke përfshirë auditues ndërkombëtarë për financimin e fushatës së partive politike dhe ndryshime të mundshme në ligjet përkatëse.
- Emërimi i ekspertëve teknikë si zëvendësministra në ministritë që mund të ndikojnë në procesin zgjedhor, të ndihmuar nga partnerët ndërkombëtarë, të cilët do të monitorojnë çdo çështje që ka të bëjë me procesin zgjedhor
- Caktimi i përkohshëm i personave të respektuar, të cilët nuk përfaqësojnë parti politike, si zyrtarë të lartë të Ministrisë së Arsimit dhe Policisë dhe monitorim i fortë ndërkombëtar për të parandaluar abuzimet e mundshme të administratës publike.
- Strukturë e veçantë në Policinë e Shtetit për të monitoruar problemet e lidhura me zgjedhjet, të përbërë nga Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm dhe 12 Zëvendës Drejtorë rajonalë, të ndihmuar nga PAMECA dhe ICITAP.
- Shtyrja e zgjedhjeve deri më 16 korrik (Ky propozim daton që nga 25 prilli, pra 3 javë para se propozimi i integruar ju prezantua palëve!)
15. Droga:
• Komuniteti ndërkombëtar do të monitorojë çrrënjosjen e kanabisit.
• Pjesëmarrja e opozitës në Task Forcën Kombëtare të luftës kundër Drogës. - Dekriminalizimi (Largimi dhe parandalimi i kriminelëve nga mbajtja ose kërkimi i posteve publike)
• Partitë politike angazhohen publikisht për ekzaminimin e fortë të kandidatëve në listat partiake dhe të koalicionit.
• KQZ ekzaminon kandidatët nëpërmjet personelit shtesë, me mbështetje ndërkombëtare (të plotësuara në përputhje me Ligjin e Dekriminalizimit dhe Kodin Zgjedhor)
• Angazhimi i SHBA dhe partnerëve të tjerë për t’u dhënë Kryetarëve të partive politike rekomandime të mbështetura mbi të dhënat penale të kandidatëve. - Mbështetje ndërkombëtare për forcimin e monitotorimit të regjistrit të zgjedhësve.
- Mbështetje ndërkombëtare për KQZ-në për ngritjen e linjave telefonike të ndihmës, për vëzhgimin dhe shqyrtimin e ankesave mbi ligjin e shërbimit civil dhe blerjen e votës.
- Mbështetje ndërkombëtare për vëzhgimin e rolit të medias në zgjedhje dhe caktimin e segmenteve orare në media. Ndalimi i transmetimeve të videokasetave të partive politike të regjistruara më parë pa identifikim të qartë.
- Kthimi i Opozitës në Parlament, për formimin e Komisioneve të Vetingut.
/gsh.al
KOHA JONË SONDAZH

