Më 27 gusht mblidhet Asambleja Kombëtare e PS-së, ja emrat e ministrave
Partia Socialiste në datën 27 të këtij muaji do të mbledh Asamblenë Kombëtare. Sipas festës që u është shpërndarë deputetëve të grupit të ri parlamentar, mbledhja do të zhvillohet në orën 10:00 ne ambientet e “Hotel Tirana”. Në Asamble do të bëhet një analizë e përgjithshme e zgjedhjeve dhe rezultatit të tyre në 25 qershor ku do të ndalet edhe te ata koordinatorë qarqesh që sollën rezultatin më të ulët për PS-në krahasuar me të tjerët.
Socialistët do të bëjnë një analizë të hollësishme për 25 qershorin duke përfshire të gjitha degët, aty ku pati rënie të votave por dhe aty ku u rrit ndjeshëm.
Pas fitores së zgjedhjeve të qershorit dhe kur po bëhet gati të qeverisë e vetme vendin, Partia Socialiste ka thirrur tre ditë para mbylljes së muajit forumin e saj më të lartë, asamblenë. Asambleja mësohet se do të diskutojë për zgjedhjet e qershorit por edhe administratën shtetërore, pas turit të dëgjesave të zhvilluara në gjithë vendin. Gjithashtu, vëmendje të madhe do marrë edhe krijimi i qeverisë së re.
Kryeministri Edi Rama caktoi 5 grupesh pune, të cilët kanë hartuar raporte specifike për mbledhjen e Asamblesë Kombëtare Socialiste. Burimet bëjnë me dije gjithashtu se në selinë rozë janë ngritur pesë grupe pune: ai për ristrukturimin e qeverisë, për reformën në administratë, për analizën e zgjedhjeve të qershorit, për grupin parlamentar dhe për bashkëqeverisjen me qytetarët.
Krerët e grupeve kishin përgjegjësi të bënin nga një raport të aktivitetit të deputetëve në parlament dhe në zonën e përfaqësimit. 5 drejtuesit e grupeve që do i referojnë Ramës raportet, janë: Gramoz Ruçi, Milva Ekonomi, Niko Peleshi, Arben Ahmetaj dhe Fatmir Xhafaj. Mbi bazën e këtyre raporteve do të ketë vendime të rëndësishme lidhur me strukturimin e qeverisë së re, ministrive dhe fushave të tyre të përgjegjësisë. Kabineti qeveritar Rama 2 pritet të ndryshojë rrënjësisht.
Kryeministri ka paralajmëruar se numri i Ministrive dhe i Agjencive kryesore do të ulet ndjeshëm dhe duket se projekti me 10 Ministri në total është më i mundshmi. Në kabinet ka ministri që shkrihen dhe ka disa të tjera që u bashkohen Ministrive më të mëdha. Kështu, ndryshimet do të prekin Ministrinë e Financave, Ministrinë e Ekonomisë dhe atë të Energjetikës.
Është mësuar se këto tri dikastere mund të rigrupohen në dy ministri, ku mund të kemi ose një bashkim të Ministrisë së Ekonomisë me atë të Financave ose një bashkim të Ministrisë së Ekonomisë me atë të Energjetikës. Sektorë të tjerë që mund të preken janë edhe ai Bujqësisë dhe i Mjedisit. Sipas parashikimit mund të ketë një bashkim edhe të këtyre dy ministrive, pavarësisht se fushat që ato mbulojnë nuk kanë shumë afërsi.
Ndërkohë që një tjetër ndryshim mund të jetë edhe ai i bashkimit të Ministrisë së Transporteve dhe Ministrisë së Zhvillimit Urban. Gjithashtu, është raportuar se po diskutohet për krijimin e një ministrie të re e cila mund të përmbledhë administrimin e disa prej çështjeve më të mprehta dhe problematike të qeverisjes, siç mund të jenë hipotekat, legalizimet dhe kthimi i pronave.
Emrat e Ministrive dhe Ministrave të rinj pritet të bëhen publik në fund të muajt gusht, pikërisht edhe pas mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste./SH/
KOHA JONË SONDAZH

