Merret vendimi: Kolegji Zgjedhor pushon çështjen e agrarëve
Kolegji Zgjedhor ka pushuar sot çështjen e ngritur nga Partia Agrare Ambientaliste pas tërheqjes së vetë PAA nga padia ku kërkonte shpalljen të pavlefshme të listave shumëemërore të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 18 qershorit.
Sot, kur ishte ishte parashikuar që Kolegji Zgjedhor të merrte në shqyrtim kërkesën e PAA-së, kreu i saj Agron Duka tha se padia për të shtyrë datën e zgjedhjeve nuk kishte më kuptim pasi tashmë kishte një akord politik.
“Sapo u bë marrëveshja, vendimi e humb sensin sepse ne padinë e kishim bërë për të shtyrë datën e zgjedhjeve.
Kur kjo bëhet me dakordësi, në një akord politik, mendoj që nuk ja vlen më që të vazhdojmë ta ndjekim në rrugë juridike.
Në këto kushte u tërhoqëm nga padia, e ka humbur sensin, nuk ka më logjikë.
Përderisa ka një marrëveshje që filloi me 10 kryetarë partish dhe pastaj përfundoi me dy kryesorë, nuk ka më sens që ne të vazhdojmë të padisim njëri-tjetrin.
Për datën e zgjedhjeve nuk ka dijeni, besoj se nëse merret pikë për pikë zbatimi i paketës “McAllister” data do të jetë me 16 korrik, por mbetet për tu parë”, u shpreh ai.
Ankimim për listat e kandidatëve për 18 qershorin si datë zgjedhjesh e vendosur para marrëveshjes Rama – Basha ka bërë edhe Partisë Aleanca Popullore (AP).
Ashtu si animimi i PAA-së, edhe ky i AP-së kundërshton vendimin e KQZ-së për afatin e dorëzimit të listave të kandidatëve nga partitë politike.
KOHA JONË SONDAZH

