Mesila Doda: Idrizin e largoi nga Kuvendi pakti PS-PD
Deputetja e PDIU, Mesila Doda i është përgjigjur deputetit demokrat, Edmond Spaho lidhur me debatin për detyrimin e qytetarëve që të marrin pjesë në votime.
Në një koment në Facebook Doda thekson se janë marrëveshje e pista politike, si ajo mes PS dhe PD, ato që tjetërsojnë votën e shqiptare dhe shkelin ligjet.
Komenti i plotë në Facebook:
Një shënim i fundit… Për z. Spaho që me mirësjellje po na kujton marrëveshjen e natës PD-PS. Nëse jeni i shqetësuar se pse nuk është në Parlament kryetari i PDIU, duhet ta dini qe ky është rezultat i pazarit të natës PS-PD. U dhanë 6 ministra teknikë dhe po aq drejtorë ekonomikë që fushata po edhe numërimi dhe tjetërsimi i votës të përqëndrohej kundër partive te tjera, sepse le ta themi haptas… ky ishte pakti i dy të mëdhenjve kundër gjithë të tjerëve. Për herë të parë u bënë bashkë PD e PS që të mos hapeshin kutitë e Tiranës e të mos dilte në shesh zullumi i gjithëpërfshirjes në vjedhjen e votës në numërim, duke shënuar edhe rastin e parë kur një opozitë nuk dëshiron transparencë. Këto që po them janë fare pak në krahasim me atë të vërtetë që mbulon vjedhjen e mandatit të PDIU në Tiranë, dhe kalimin e këtij mandati në favor të PS. Gjithsesi, për shqetësimin tuaj që kryetari nuk është në Parlament, më duhet t’ju kujtoj që edhe PD ende është në kohën kur kryetari i saj është jashtë parlamentit, ndaj nuk është as hera e parë, e as e fundit që një kryetar partie nuk është në Parlament.
Nëse jeni shqetësuar pse nuk është sekretarja e përgjithshme e PDIU në Parlament, ju falenderoj që e ndjeni mungesën time, por nuk është fundi i botës. Nuk arriti as PD që është parti e madhe të fuste në Parlament sekretarin e saj të përgjithshëm. Tek e fundit edhe ju e dini që politikani që nuk është rritur me zor e që ka talent, din të bëjë politike e të imponohet edhe kur nuk është në Parlament. Për sistemin po, duhet të shqetësohesh sepse janë 40.000 vota shqiptarësh që mbeten pa përfaqësim. Kjo duhet të jetë pikënisja për ndryshimin e sistemit. Votë e barabartë dhe me të njëjtën peshë… E kam edhe një shqetësim të fundit. Mos e konsideroni me shtetin fqinjë si yllin polar të demokracisë, e mos ju servilosni. Ka probleme të mëdha me respektimin e të drejtave të njeriut dhe janë bashkëkombasit tuaj ata që janë vrarë dhunuar e vjedhur në pronë e identitet. E më se fundi, më duhet të them që nuk ka ardhur asgjë e mirë nga ky nënshtrim për shekuj me radhë.
KOHA JONË SONDAZH

