META: RAMA E PËRDORI BASHËN PËR INTERESA TË TIJ
Politikë E Enjte, 27 Maj 2021 14:49
Pjesë nga intervista e Ilir Metës te Ylli Rakipi:
Po e pranoj për një moment mendimin tuaj si të drejtë dhe të saktë. Z. Meta, nuk ju bëri përshtypje fakti që ju nuk ju lajmëruan? Aleati juaj që nuk shkonte për ta thënë në mënyrë figurative, as në banjë, pa lejen tuaj! Ai i shkreti shkonte në SHBA dhe vinte në këmbë si gjynahqar drejt derës suaj. Ju ishit zgjedhur president. Nuk ju bëri përshtypje kjo gjë?
Ndoshta z. Rama kishte të drejtë, sepse ai ishte i mërzitur. Deri në fund ne insistuam që të përfshihej dhe opozita në zgjedhje, se do të ishte turp i madh për Shqipërinë, përveçse do të ishte edhe një shkatërrim i të gjitha institucioneve demokratike në vend që ne të shkonim pa opozitën dhe nuk e dinim se çfarë do të ndodhte në zgjedhje të tilla.
I mërzitur nga ky qëndrim i LSI-së, i PDIU-së, z. Rama zgjodhi një mënyrë tjetër. Zgjodhi të marrë z. Basha dhe ta përdorë kundër të gjithë të tjerëve për interesat e tij, dhe është e drejtë e tij ta bëjë këtë gjë. Se si do të jetë rezultati, këtë do ta shikojmë. Pra, dhe rezultati i kësaj marrëveshjeje kundër zgjedhjeve.
Rezultati i marrëveshjes? Sigurisht është një marrëveshje shumë e çuditshme me thënë të drejtën. Gjithsesi, më bën pak përshtypje fakti, z. Meta, se ju nuk u çuditët që Edi Rama, i cili ju pyeste se si t’i lidhte këpucët, po e themi me figurë letrare, se është një njeri pak i trembur dhe vraponte te ju. Vinte te dera juaj si fajtor, si një njeri i kujdesshëm. Ikte në Hungari, po themi, për një hall grataçeli, kthehej dhe vinte te ju…
Kjo nuk ka rëndësi. Këto figurat tuaja nuk kanë rëndësi. Për mua nuk ishte e nevojshme të më pyeste, sepse për mua e rëndësishme ka qenë që të gjendej zgjidhja me opozitën dhe për këtë gjë unë kam qenë i gatshëm.
Madje edhe unë, edhe z. Vasili, kam deklaruar edhe para datës 17 maj që jam i gatshëm të jap dorëheqjen edhe nga posti i Presidentit. Pra, ta vëmë në dispozicion të zgjidhjes së kësaj krize. Kështu që nuk ishte e nevojshme të më pyeste për këtë gjë.
Natyrisht, nuk mund të më pyeste për diçka tjetër, për të arritur një marrëveshje me z. Basha kundër zgjedhjeve, sepse ai e dinte që unë nuk do të isha dakord për këtë gjë. Pra, në të dyja rastet nuk kishte pse të më pyeste. Kjo as për një marrëveshje për zgjedhjet, sepse ne ishim të gatshëm për këtë gjë, por nuk mund të më pyeste as për të bërë një marrëveshje kundër zgjedhjeve, sepse ai e di qëndrimin tim.
KOHA JONË SONDAZH