Ministrja Gjonaj: Pastrimi i pallatit të drejtësisë po funksionon
Në një deklaratë për mediat në lidhje me ecurinë e procesit të Vetting-ut, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj u shpreh se reforma po jep rezultate dhe po kthen shpresën te shqiptarët. “Vetting-u po rikthen shpresën te publiku se dhe në Shqipëri mund të ketë drejtësi. Po funksionon pastrimi i pallatit të drejtësisë. Reforma po jep rezultate pozitive dhe për këtë s’ka kthim mbrapa”, tha ministrja.
Më tej, ministrja tha se boshllëku i krijuar është i përkohshëm dhe i kuptueshëm. Ai shtoi se shantazhet për të kthyer pas procesin nuk mund të funksionojnë. “Ne do të jemi deri në fund garantët e një reforme që po bën historinë”, tha Gjonaj.
Ministrja e Drejtësisë bëri të qartë se mazhoranca nuk do të pranojë rishikim të ligjeve të drejtësisë, teksa ngërçin e krijuar në gjykatat më të larta të vendit, atë Kushtetuese dhe gjykatën e Lartë e cilësoi të përkohshëm dhe të kuptueshëm.
”Që opozita kërkon me dëshpërim rishikimin, domethënë shkatërrimin e këtij kuadri ligjor të konsideruar botërisht një revolucion në sistemin e drejtësisë, është përditë e më e qartë. Kthim mbrapa nuk mund të ketë. Shantazhet e vazhdueshme, kërcënimet e përditshme, bllokimet e imagjinuara si mundësi për të imponuar kthimin mbrapa nuk kanë asnjë mundësi të funksionojnë. Mbrojtja absurde e atyre që goditen drejtësisht nga vettingu dhe sulmet absurde ndaj atyre që nuk e kalojnë vettingun janë akte të rënda vetëdiskretituese të një opozitë që e ka humbur vijimësisht davanë me Vetting-un e shqiptarëve nga zgjedhja në zgjedhje. Vetting-u nuk kapet dot nga askush, nuk përdoret dot nga askush dhe nuk ndalet dot nga askush. Vetting-u mbrohet nga sytë e ndërkombëtarëve.Nuk çojnë askund deklaratat për Shqipërinë e mbetur pa gjykatë Kushtetuese dhe pa gjykatë të Lartë. Shqipëria nuk ka mbetur pa gjykata po ka shpëtuar nga pasojat e kalbëzimit korruptiv të këtyre gjykatave. Boshllëku i sotshëm është i përkohshëm dhe i kuptueshëm”,-tha Gjonaj.
KOHA JONË SONDAZH

