Ministrja Ogerta Manastirliu: Do të lirohen territoret e zaptuara nga ngrehinat dhe aktivitete brenda spitaleve publike
Ogerta Manastirliu është shprehur se brenda 100 ditëve të para të qeverisjes do të lirohen të gjitha territoret brenda spitaleve publike nga ngrehinat dhe aktivitetet e tjera.
“Me një aksion në të gjithë vendin, brenda 100 ditëve të para të qeverisjes, do të lirohen territoret e zaptuara nga ngrehinat dhe aktivitete gjithëfarësh brenda spitaleve publike”.
Deklarata u bë sot nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu. Duke e konsideruar këtë, si një hap të parë për rimëkëmbjen e shërbimit spitalor, Manastirliu tha:
“Kthim pas nuk do të ketë! ‘Pushtimi’ mbi 25 vjeçar i spitaleve dhe qendrave shëndetësore do të marrë fund një herë e mirë dhe qytetarët shqiptarë, kudo ku ata e marrin shërbimin, do të trajtohen në mjedise të denja”.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale shpalli gjithashtu hapjen e konkursit publik për përzgjedhjen e 17 drejtuesve të rinj të spitaleve Universitare dhe Rajonale, me të cilët do të vihet në zbatim plani i veprimit për transformimin e kujdesit shëndetësor.
KOHA JONË SONDAZH

