Mustafa Nano: Godina e Teatrit është e shëmtuar, por Rama po sillet si sundimtar
Mustafa Nano thotë se ajo ç’ka e shqetëson në çështjen e Teatrit nuk është shembja e godinës së vjetër. Por, siç shprehet, shqetësimi i tij lidhet me paligjshmërinë dhe kompleksin e madh të kullave që pritet të ndërtohet aty ku sot ndodhet godina e vjetër.
“Madhe e njerëzve, të cilët, qoftë edhe ata më teatër-dashësit, nuk duket se kanë ndonjë dashuri për atë godinë të shëmtuar”, tha ai në një intervistë për “TemA TV”.
“Për mua shqetësimi im ka të bëjë së pari me një kontekst të tërë paligjshmërie, me një matricë paligjshmërie që verifikohet në këtë rast, dhe së dyti me disa ndërtime, me atë kompleksin e madh të kullave.
Nuk është se jam apriori kundër kullave, por një kompleks kullash i ndërtuar kështu, sa hap e mbyll sytë, në qendër të kryeqytetit, pa u hedhur njëherë në një projekt urbanistik, të cilin do mund ta shihnim të gjithë, është një gjë e çmendur.
Nëse do të ndërtohej një ndërtesë e re teatri aty ku është i vjetri, pa u ndërtuar dhe ato kullat e tjera dhe pa ato shkeljet ligjore që vihen re, unë do isha dakord, do isha njeri i gëzuar si teatërdashës, sepse do bëhej një teatër i ri”, shtoi.
“Personalisht, nuk bëhem merak fare nëse shembet ajo ndërtesë, biles jo vetëm nuk bëhem merak, por dua që ajo ndërtesë të shëmbet- tha Nano- por jo në këtë mënyrë, jo duke dhunuar ligjet e shtetit shqiptar dhe jo duke u kujtuar një mëngjes të bukur që ne aty mund të ndërtojmë edhe nja 6 kulla dhe hajde po i ndërtojmë.
Unë nuk jam me idenë që gjëra kaq të rëndësishme,kaq të mëdha, mund të bëhen kaq kollaj. Unë nuk jam me idenë që vendime për gjëra të tilla të mëdha të merren në mënyrë kaq të shkujdesur dhe kaq mendjelehtë. Mua kjo më shokon”.
Ai akuzoi kryeministrin Rama për një qasje prej sundimtari.
“Kryeministri Rama është me idenë se ideja e tij është shumë e bukur, aq e bukur sa mund t’ia lejojë vetes që të shkelë ligjin. Kjo është një qasje prej sundimtari”.
I pyetur “si e sheh fundin e kësaj historie”, u përgjigj:
“Fundin e kësaj historie e shoh, që do bëhet ajo që është nisur, për fat të keq. Dhe mua s’më mbetet tjetër, veçse të uroj që ndërtesa e re e Teatrit të jetë e bukur dhe funksionale, dhe t’i lutem Zotit që ai kompleksi i kullave në qendër të Tiranës të mos dalë si një kandërr e shëmtuar në panoramën urbanistike. Dhe të shpresoj që këta të përgjigjen një ditë për shkeljet e ligjeve që po bëjnë”.
KOHA JONË SONDAZH

