Nasip Naço, ironi me Ramën: Faleminderit që nuk e shkritë dhe Ministrinë e Drejtësisë

Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë këtë të martë po diskutojnë programin e qeverisë së re. Gjatë fjalës së tij, deputeti i LSI Nasip Naço tregoi fjalët që i kishte dhënë një miku i tij socialist.

“Para se të vija në seancë, një miku im socialist më tërhoqi vëmendjen lidhur me faktin nëse është etike të flas sot kundër qeverisë në kohën kur ne sëbashku kemi qeverisur për 4 vite.

I argumentova se kemi bërë edhe oponencë në qeveri e mazhorancë duke ruajtur filozofinë dhe identitetin e të dyja forcave politike.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në jo pak raste të tjerët kanë dashur që ne nga oponenca të kalonim dhe të bënim opozitën e qeverisë së djeshme, dje kemi bërë oponencën, sot ne jemi të destinuar të bëjmë opozitën se këtë rrugë zgjodhëm për t’u përballur në këtë fushatë elektorale”, tha Naço.

Swiss Digital Mobile Reklama

Fjala në Kuvend e deputetit të LSI, Nasip Naço

Fillimisht më lejoni të shpreh urimet më të mira për të gjithë ata kolegë deputetë që kanë marrë mandatin e tyre të parë për të qenë pjesë e këtij parlamenti. Urime dhe suksese në detyrën e tyre. Një falënderim të dytë të veçantë e kam për rreth 20.000 qytetarë, anëtarë dhe simpatizantë të LSI-së në Skrapar, Poliçan, Kuçovë, Urë Vajgurore dhe Berat, të cilët na mbështetën pavarësisht dhunës dhe presionit të rrugës nga grupet paramilitare, pasi Policia e Shtetit ishte e strukur në komisariate, policët e rilindjes kishin hequr kapelet dhe dolën për të mbledhur vota. Ne patëm të njëjtin rezultat, ashtu sikurse ishim në koalicion dhe morëm përsëri 2 deputetë dhe 24%. Ky është një vlerësim dhe një falënderim për të gjithë ata që na kanë votuar në Qarkun e Beratit. Ne kemi ardhur për të përfaqësuar denjësisht ata që na votuan, për të kthyer sa më shpejt një zë më të fortë të shumicës së shqiptarëve, por duke qenë në çdo rast një opozitë që nuk do të bllokojë asnjë ditë të vetme procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Për të gjithë ata që mendojnë se ne do të bëjmë opozitë për hir të opozitës, duke qenë kundër çdo procesi, duke mos i dhënë mbështetje sa duhet maxhorancës së re për bërjen e reformave të rëndësishme, dua tu them se ne si forcë politike do ta mbështesim pa rezervë çdo ligj dhe detyrim apo çdo proces që lidhet me përshpejtimin e integrimit në Bashkimin Europian. LSI ka të gjithë vullnetin për të vendosur një traditë pozitive në funksion të politikës së re pluraliste shqiptare, për të siguruar një të ardhme më të mirë për vendin tonë, për zhvillimin e mëtejshëm të tij dhe si dhe duke siguruar që Shqipëria të mirëqeveriset edhë më mirë në të ardhmen, nga një vend ballkanik që jemi me mentalitet, në një vend europian.

Të nderuar kolegë.

Normalisht sot do duhet të diskutonim për programin e qeverisë, për premtimet elektorale të cilat presupozoheshin se do duhet të ishin boshti i këtij programi. Unë dhe kolegë të tjerë nuk jemi aq naivë dhe pa eksperiencë, sa të mendojmë se performanca e një qeverie varet vetëm apo kryesisht nga programi i saj, sepse mund të shkruash një tekst shumë të bukur dhe nuk e realizon atë. Në këto 27 vjet të pluralizmit politik, kemi provuar të gjitha llojet e qeverive, të cilat kanë pasur të mirat dhe defektet e tyre, arritjet dhe mosrealizimet, por nuk është sot dita për t’i krahasuar me njëra-tjetrën. Në këtë kuptim, kjo qeveria sot dhe as në ditët e fundit të saj, nuk ka përse të përndiqet pa arsye objektive nga opozita, e sidomos nga ajo që përfaqësohet nga LSI, një opozitë progresiste, duke mos imituar kurrë modelin e shpifur të baltosjes, huqin e vjetër të nihilizmit apo mohimit pa kriter dhe me çdo kusht që shpesh herë ka aplikuar politika shqiptare. Ne të jemi të vendosur dhe do të monitorojmë çdo vendimmarrje të gabuar apo të qëllimshme të kësaj qeverie. Ne do të jemi këtu për të denoncuar çdo skandal apo aferë korruptive, madje dhe në çdo tentativë të saj dhe padyshim ju siguroj që do të jemi opozita e alternativave dhe e progresit dhe jo e baltosjes çdo të enjte në këtë sallë. Të nderuar kolegë dhe bashkëqytetarë. Do të doja të shprehja mendimet dhe shqetësimet e mia lidhur me strukturën dhe filozofinë e ndërtimit të qeverisë, si një e drejtë kushtetuese e kryeministrit, por nuk mund të rri pa përmendur se ndryshimet drastike të qeverisë kanë dhe një kosto financiare. Për këto efekte ne nuk kemi një analizë të argumentuar. Përpos shfaqjes së pasionit të verbër për të eleminuar të gjitha arritjet e LSI-së gjatë kësaj bashkëqeverisje, kur për pasojë verdikti final ishte shkrirja me sa mund e të gjitha të ministrive të drejtuar prej saj, përfshirë dhe cenimin e memories dhe kapacitetet administrative të këtyre institucioneve si një aset me rëndësi. Faleminderit që nuk e shkritë dhe Ministrinë e Drejtësisë, sepse kjo ka ndodhur në vitin e largët 1966. Më lejoni të ndalem dhe për një çështje me peshë madhore për të cilën ka pritshmëri nga gjithë populli shqiptarë, nga faktori ndërkombëtar si dhe aleatët tanë kryesorë SHBA dhe BE. E kam fjalën për Reformën në Drejtësi. Si ish-ministër i Drejtësisë kam patur fatin të jem kam pasur fatin të jem pjesë e sipërmarrjes të jashtëzakonshme të nisjes dhe të vijimit të bashkëpunimit me aktorë vendas dhe të huaj të kësaj reforme të shumëpritur, që nga Komisioni i Venecias, Euralius 4, OPDAT, PAMECA dhe me gjithë ekspertët vendas dhe të huaj, të cilët gjej rastin për ti falënderuar publikisht për asistencën dhe kontributin e tyre. Shpesh gjatë punës sime si Ministër i Drejtësisë në kulmin e kristalizimit të kësaj reforme vura re dhe tendencën nga disa aktorë dhe faktorë për të kapur dhe për të përdorur sistemin e drejtësisë, gjë të cilën e kam kundërshtuar me të gjitha mekanizmat dhe mundësitë që ligji më siguronte. Nga ana tjetër, duke sugjeruar që palët dhe grupet e punës në çdo rast të zgjidhnin një nga modelet më të mira të Bashkimit Europian. Uroj që Reforma në Drejtësisë të mos kete si produkt të sajin final thjesht dhe vetëm krijimin e një mekanizmi të pushtetit shtetëror, i cili ushtron presion dhe kërkon të intimidojë kundërshtarin. Do të dëshiroja që qytetarët shqiptarë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë të jenë dëshmitarë të një ndryshimi rrënjësor të sistemit të drejtësisë. Si ish-ministri i Drejtësisë, i mbështetur fuqimisht nga maxhoranca e djeshme, në një kohë fare të shkurtër së bashku me Inspektoriatin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë kemi proceduar për shkelje të ligjit rreth 44 gjyqtarë, nga të cilët 27 i janë propozuar për shkarkim Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Sigurisht që nuk gjetëm mbështetje nga KLD-ja. Ky është një numër i konsiderueshëm i këtyre gjyqtarëve të proceduar, i barabartë me numrin e dhjetëra viteve të paraardhësve të mi në këtë detyrë. Ka qenë një punë titanike e të gjithë aktorëve, por u arrit shumë pak nga ajo që ne prisnim dhe për atë çka përfaqëson sistemi i drejtësisë. Do të dëshiroja për të pritur rezultatet e para të procesit të Vettingut si një kusht i domosdoshëm për rikthimin e besimit të munguar në drejtësi të shumëpritur nga qytetarët shqiptarë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Detyra jonë është që të mbështesim pa kushte dhe pa rezerva Reformën në Drejtësi.

Pjesëmarrje ime në këtë seancë parlamentare nuk është thjesht dhe vetëm një votë kundër kësaj qeverie, pasi kjo do të binte ndesh me parimet e mia, ndaj kulturës dhe klimës së dialogut parlamentar, që mendoj se është një parakusht i nevojshëm i bashkëjetesës në harmoni të të gjitha palëve në këtë legjislaturë. Para se të vija në këtë seancë një miku im socialist më tërhoqi vëmendjen lidhur me faktin nëse është etike të flas sot kundër qeverisë, në një kohë që ne së bashku kemi qeverisur për katër vite. Ja argumentova këtij miku se për katër vite ne kemi qeverisur së bashku dhe kemi pasur dakordësime, por sigurisht kemi patur dhe kemi bërë oponencë ndaj njëri tjetrit në qeveri dhe si maxhorancë, duke ruajtur filozofinë dhe identitetin e të dyja forcave politike. Në jo pak raste, të tjerët kanë dashur që ne nga oponenca të kalonim dhe të bënim opozitën e qeverisë së djeshme. Dje ne e kemi bërë oponencën se ishim brenda një koalicioni opozitar, sot ne jemi të destinuar të bëjmë opozitën sepse këtë rrugë zgjodhëm për tu përballur në këtë fushatë elektorale. Në traditën tonë politike, në jo pak raste sukseset mbahen gjithmonë për vete, ndërsa dështimet faturohen jashtë vetes, apo më keq akoma ato mbarten tek aleatët qeverisës. Kemi dëgjuar shpesh që policët jeshilë, gri apo të dalë boje siç thonë në Shkodër, janë të këqijtë e këtij vendi, ndërsa policët blu, ata të veshur më mirë, ata janë të mirët, sepse kur duhet heqin dhe kapelet dhe na japin vota. Kur na duhen këta policë i mbyllim dhe sytë dhe për tonelatat e drogës. Sigurisht këta janë të mirët, sepse janë tuajt.

Një nga çështjet më të rëndësishme që shtrohet sot nga të gjithë ka të bëjë me situatën ekonomike të vendit, sidomos me situatën ekonomike të familjeve shqiptare. Nuk është abuzim të thuhet se sot shqiptarët janë më të varfër se më parë dhe duke qenë konkrekt dua të sjell në vëmendjen tuaj një shifër që lidhet me qarkun të cilin përfaqësoj. Vetëm në qarkun e Beratit sot janë mbi 3000 familje me ndihmë ekonomike, por ka dhe mbi 3000 kërkesa të tjera për tu përfshirë në këtë sistem, pasi janë pa asnjë shpresë minimale për të siguruar jetesë të denjë sikundër i takon një qarku po aq të rëndësishëm që mbart vlera të mëdha. Por ky problem është kapilar dhe ka prekur mjaft familje të thjeshta, të cilat janë në luftë me mbijetesën. Secili prej nesh nuk mund ta mohojë që gjatë aktiviteteve të fushatës elektorale është përballur shpesh me varfërinë absolute dhe për fat të keq sot në të 4 cepat e Shqipërisë ka raste të shumta që shpresën e vetme të garantuar bukën e gojës e shohin te lista veresie në dyqanin më të afërt. Në Qarkun e Beratit janë mbi 10.000 familje, të cilat kanë miliona borxhe në dyqanet e bukës, në dyqanet ushqimore, në farmaci. Po po miqtë e mi, edhe në farmaci, ku kanë marrë me lekë borxh ilaçet.

Kjo maxhorancë ka luksin që të bëj çfarëdolloj reforme dhe për të ushtruar çfarëdo lloj pushteti për shkak të numrave që disponon dhe trafikimit të votës që u shënua që në seancën e parë, si një test i ushtrimit të forcës numerike që mund ta rrisni kur të doni, por mund të merrni dhe deputetë sezonal që kërkojnë vetë apo që i kërkoni ju. Fakti është që kjo maxhorancë është vetë zot dhe vetë shkop, por duhet që edhe e vetme të mbajë përgjegjësinë e çdo dështimi në të gjitha nivelet e qeverisjes përballë qytetarëve shqiptarë. Programi që paraqiti z.Rama ishte i mbushur me dëshira dhe ne dëshirojmë që të realizohen të gjitha, por duhet të kishte disa objektiva të qarta, të thjeshta dhe në afate kohore që kanë të bëjnë me armikun tonë të përbashkët, e cila është varfëria dhe papunësia. Më lejoni t’ju bëj me dije disa shifra aspak inkurajuese, që nuk jam i sigurt nëse do të marrin zgjidhje nga programi i dëshirave RAMA II. Vitin e kaluar kompanitë më të mëdha koncensionare realizuan norma fitimi deri në 45%. Personalisht partneritetin publik-privat e kuptoj si një investim të kompanive private me mbështetjen e shtetit dhe jo si një investim nga xhepat e qytetarëve shqiptarë për të rritur normën e fitimit të koncensionarve. Rreth 50 milion dollarë në vit paguajnë nga xhepi familjet e shqiptarëve për kurim, fakt ky që vë në dyshim rezultatin e zotimit madhor për shëndetësi falas. Sipas EUROSTAT nëse në Evropë një familje paguan 0.6% të buxhetit për të shkolluar fëmijët, në Shqipëri kjo shifër është 3.58 herë më e madhe. Sipas Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar kompanitë shqiptare investuan rreth 68 milion euro jashtë vendit. Kjo është një shifër që vendos një rekord të ri, ku përpos shqetësimin për kërkesën e lartë për emigrimin qytetar, tashmë duhet të përballemi dhe me betejën e emigrimit të bizneseve. Në jo pak raste faktet flasin qartë për përfshirje të drejtpërdrejtë të strukturave më të larta të policisë së shtetit në kultivimin dhe trafikun e drogës, të cilat pa dyshim na lanë një kosto dhe një damkë në rajon dhe më gjerë. Përveç dëshirës për të luftuar këtë fenomen nga maxhoranca e sotme, përveç dëshirës dhe profesionalizimit të z.Xhafa, mendoj se ka ardhur koha që ti përgjigjemi këtij fenomeni, duke ngritur mekanizma më të forta, pse jo dhe atë që ka sugjeruar LSI apo dhe aktorë të tjerë për ngritjen e karabinerisë sipas modelit italian, për ngritjen e xhandarmërisë sipas modelit francez, duke parë dhe modele të tjera, gjithmonë për të luftuar realisht drogën që na ka pushtuar të gjithëve dhe krimin e organizuar.

Ju Faleminderit

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?