Negociatat, ish-ministrja Gjosha pesimiste: Shqipëria nuk ka përmbushur ende detyrat
Kur nga Italia ende pritet përgjigja e audio-përgjimit, nëse është ose jo vëllai i ministrit të Brendshëm protagonist, Lëvizja Socialiste për Integrim ka hedhur disa dyshime te reja.
E ftuar në emisionin “Politika Online” të gazetares Marsela Karapanço në gsh.al, deputetja Klajda Gjosha vë në pikëpyetje kopjen që i është dërguar autoriteteve italiane për ekspertizë.
Nga ana tjetër, seancat e fundit kane treguar se nga LSI ka pasur rrjedhje votash në Parlament.
Mazhorancës do t’i duhen 6 vota për të miratuar ndryshimet për të zhbllokuar emërimin e magjistratëve të rinj. Por ish-ministrja thotë se kjo nuk do të ndodhë!
Si ish-ministre e Integrimit, Gjosha duket pesimiste për qershorin, për sa kohë sipas saj, Shqipëria nuk ka përmbushur ende detyrat e shtëpisë. Ndërsa për drejtuesit politike të LSI, ndan mendime të ndryshme.
Brenda Lëvizjes Socialiste për Integrim ka debat nëse kjo forcë politike po drejtohet më mirë tani nga zonja Monika Kryemadhi, apo më herët kur ishte Ilir Meta. Klajda Gjosha tha se largimin nga LSI e shikon si fundin e karrierës së saj politike.
E sa i përket pyetjes se cili nga të dy, Monika apo Meta është më i mirë në drejtimin e partisë, zonja Gjosha ka dhënë këtë përgjigje: Janë të dy të jashtëzakonshëm në mënyrën e vetë. Zoti Meta ka qenë më shumë institucional edhe me komunikimin me gjithë drejtuesit e tjerë. Zonja Kryemadhi është shumë herë më popullore, shumë herë më hapur për bashkëpunim. Debati në LSI është shumë herë më i hapur le të themi. Kur një parti politike drejtohet nga një grua, përgjegjësia është e jashtëzakonshme dhe vetë partia merr një rrjedhë tjetër që ndoshta burrat mund ta kenë pak më të vështirë për tu mësuar, por për ne gratë është një komoditet i jashtëzakonshëm. Është mirë që i kemi provuar të dy liderët tashmë.
KOHA JONË SONDAZH

